E Diel, 1 Nëntor 2026

Borxhi, tërhiqet Raiffeisen, rritet blerja nga qytetarët

Dy nga blerësit më potencialë të borxhit të qeverisë, Banka e Shqipërisë dhe Banka Raiffeisen, janë tërhequr nga pozicioni i tyre duke lënë më shumë hapësirë për individët dhe bankat e tjera në vend. Të dhënat e Ministrisë së Financave për huamarrjen në tremujorin e parë të këtij viti tregojnë se individët, prirjen e tyre për të kursyer po e tregojnë edhe në blerjen e borxhit të qeverisë. Pra, investimi i parave në këtë lloj procedure dhe, nga ana tjetër, rritja e depozitave, theksojnë se individët nuk kanë në plan të ndryshojnë së afërmi sjelljen e tyre të kursimit. Në shifra, në fund të muajit mars individët kanë blerë 13.3 për qind të borxhit total të qeverisë, ndërsa në fund të vitit 2011 individët kishin 12.92 për qind të këtij borxhi. Po kështu edhe grupi tjetër i bankave të nivelit të dytë në vend ka shënuar një rritje të blerjes së bonove të thesarit të qeverisë. Në fund të vitit 2011, bankat e tjera të nivelit të dytë në vend, me përjashtim të Raiffeisen Bank, mbanin 35.3 për qind të borxhit të qeverisë i blerë në ankandet e bonove të thesarit, ndërkohë që në fund të tremujorit të parë të vitit 2012 këto banka kanë blerë 38.7 për qind të borxhit, duke e rritur atë. Sa u përket bankave që kanë mbajtur edhe peshën kryesore në blerjen e bonove (Bankës së Shqipërisë dhe Raiffeisen) në shifra, sipas Ministrisë së Financave, ka një rënie të nivelit të borxhit që ato i kanë blerë qeverisë. Kështu, në fund të vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë kishte 14.3 për qind të borxhit të qeverisë, kurse në fund të tremujorit të këtij viti ky nivel borxhi zbriti në 13.6 për qind. Nga ana tjetër, Banka Raiffeisen e uli përqindjen e borxhit të blerë nga qeveria përmes bonove të thesarit në 31.1 për qind në fund të marsit të këtij viti, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, kur mbante 33.7 për qind të këtij borxhi. Nëse u referohemi të dhënave të Ministrisë të Financave të huamarrjes gjatë muajve të parë të këtij viti, rezulton që ajo të ketë qenë aktive, sidomos në tregun e brendshëm. Qeveria në buxhetin e këtij viti ka planifikuar që deri në fund të vitit 2012 të marrë nga tregu i brendshëm 18.5 miliardë lekë. Por vetëm në katër muajt e parë të këtij viti kjo huamarrje ka arritur 12 miliardë lekë, çka në raport me planin, qeveria ka ezauruar 65 për qind të tij. Më pak borxh ka marrë qeveria në tregun e huaj, ku nga 22.3 miliardë lekë të planifikuara për tu marrë borxh për financimin e deficitit, deri tani është ezauruar vetëm 14 për qind e planit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›