Kriza në Gjeorgji - Diplomacia në veprim
Sekretarja amerikane e shtetit, Kondolisa Rajs, tha se trupat ruse duhet të tërhiqen menjëherë nga Gjeorgjia në bazë të një armëpëushimi.
Presidenti gjeorgjian Mihail Saakashvili tha në një konferencë të përbashkët shtypi me sekretaren Rajs në Tbilisi se e kishte nënshkruar marrëveshjen e armëpushimit, pasi mori sqarime nga pala franceze, e cila ndërmjetësoi marrëveshjen.
Në Paris, presidenti francez, Nikolas Sarkozi, bëri një deklaratë në të cilën thoshte se tani janë krijuar kushtet për një rezolutë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të kërkonte përfundimin e krizës.
Në komentet e saj, Sekretarja Rajs riafirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për pavarësinë e Gjeorgjisë, integritetin territorial dhe sistemin demokratik të atij vendi.
Zoti Saakashvili tha se Rusia kishte planifikuar operacionet e saj ushtarake që kur NATO-ja shtyu vendimin në muajin prill për anëtarësimin e Gjeorgjisë në radhët e aleancës perëndimore. Ai tha se një pjesë e madhe e Gjeorgjisë është tani nën kontrollin rus, gjendje, tha ai, që vendi i tij nuk do ta pranojë kurrë.
Ndërkaq, po të premten, Presidenti Bush ritheksoi se Rusia duhet të respektojë angazhimin e saj për tërheqjen e trupave nga Gjeorgjia.
Duke folur në Shtëpinë e
Bardhë presidenti e quajti Gjeorgjinë një demokraci kurajoze dhe theksoi
rëndësinë e respektimit të sovranitetit të saj. Presidenti Bush tha se
marrëdhëniet e acaruara me Perëndimin nuk janë në interesin e Rusisë dhe theksoi
se fodullëku dhe kërcënimi janë mënyra të papranueshme në politikën e jashtme. //ad//