E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha mohon të ketë deklarata nga diplomatë amerikanë kundër tij

Antena brenda familjes

Kryeministri Berisha deklaroi dje se, asnjë diplomat amerikan në Tiranë nuk ka bërë komente kundër tij dhe qeverisë së tij dhe se të gjitha gjërat që janë cituar në media, janë broçkulla. Deklarata e fortë u bë në konferencën e tij ilegale për shtyp, ku ishin ftuar vetëm kamera dhe gazetarë që nuk duhet të bënin pyetje të vështira. Deklarata se gjithë komentet në emër të diplomatëve amerikanë ishin sajuar nga shtypi, ngriti shumë entuziazmin e mikut të rubrikës sonë, Flamurit, i cili kishte dy javë që nuk bënte asnjë koment për këtë çështje, pasi i dukej shumë delikate. Pas konferencës së djeshme për shtyp të doktorit, Flamuri, i gëzuar nga deklarata dhe qartësimi i situatës, më thirri mua si korrespondent i rubrikës “Antena” për të më dhënë sihariqin...

- Të kam thënë që ai drejtori juaj është mashtrues, po s’më ke dëgjuar. E njoh mirë atë unë. Ai i sajon këto gjëra. Bëri atë artikullin, sikur SHBA ishin të shqetësuara për hapat mbrapa të qeverisë shqiptare, duke cituar burime amerikane në Tiranë, ndërkohë që është e gjitha sajesë.

- S’e di, - i thashë unë. - Ne të Antenës nuk kemi lidhje pune me të, se ia kemi marrë me qira faqen 2, por di që ai atë ditë nuk ishte vetëm në ambasadë.

- Kanë qenë kot për të pirë gjëkundi, - ma preu Flamuri.

- S’e di, - i thashë, - se ishte dhe me Fevziun dhe drejtorin e “TV Klan”-it.

- Po, pra, e di që ka qenë me ata. Dhe ata nuk dhanë gjë. Ndaj të them që e ka sajuar drejtori juaj me atë të “Top Channel”-it.

U trishtova pak me Flamurin, por s’kisha ç’t’i bëja. E pyeta, ç’thotë ndonjë gjë tjetër doktori për hetimet e Gërdecit.

- Ai burri ia ka bërë hyzmetin asaj pune, - tha Flamuri. - Ka dërguar ftesa për bashkëpunim në disa vende që të ndihmojnë në hetimin e kësaj ngjarjeje.

- Po ku i ka dërguar, - i thashë, - se në atë çështje është përzier Qipro dhe Bosnja? Vendet e tjera nuk kanë lidhje, përveç Amerikës, dhe ata janë të pakënaqur.

- Jo, e ke gabim. E ke shumë gabim. Për hir të së vërtetës, ata janë shumë të interesuar të bashkëpunojnë me ne. Jo, ta them unë ty. Dhe nga Bosnja na kanë ardhur sinjale që i kanë verifikuar gjithë personat që kanë shkuar në Republika Serbska për takime. Nuk ka ndodhur asnjë incident, siç thoni ju. Çdo gjë ka shkuar mirë. Asnjë s’ka ndaluar policia. Tani, dokumentet e makinës ua kanë kërkuar, por kjo ndodh dhe me policët në Vorë. Jo, ta them unë ty, që është shpifje. E tha dhe doktori qëparë dhe ia bëri mirë atij drejtorit tuaj, se ai e ka hapur këtë llaf. Dhe në Qipro s’ka probleme. Gjithçka është e pastër dhe firmat janë të regjistruara legalisht aty.

- D.m.th., ti mendon se doktori e ka të sigurt që drejtori ynë dhe disa kolegë të tij nuk kanë biseduar me asnjë ambasador apo diplomat rreth këtyre punëve?

- Absolutisht me asnjë. Ta them me siguri këtë, se e njoh mirë atë unë. Ia tregoi ai burri në konferencë. Le ta përgënjeshtrojnë po të duan. Se ashtu mashtrojnë ata. Dhe Fevziut ia vunë emrin pa e pyetur tek ai peticioni atëherë, po ai ua plasi në fytyrë. Dhe tani duket që mashtrojnë, se vetëm “TemA” dhe “Top Channel” e ka thënë. Nga “Klan” kanë qenë tre vetë aty dhe asnjë s’e ka dhënë. Thjesht është mashtrim.

- Po të jetë kështu, qenka e rëndë, - i thashë.- Po i shkruaj tek “Antena” të gjitha këto nesër, ishallah s’ma shikon drejtori.

- Jo, ta them unë ty. Dhe unë e kam të sigurt. E kam ditë që atë ditë, po s’kam dash të ta them, se thonë që të ndikoj ty, ngaqë jemi miq. Po ai është shumë i poshtër. Por nuk doja të ma merrnin për personale.

- Faleminderit, - i thashë. - Po kjo punë e Gërdecit si mbeti përfundimisht, do hetohet apo s’do hetohet?

- Do t’i shkohet deri në fund. Ata ushtarakët nuk kanë ku shkojnë. Ata janë përgjegjës. Dhe ai polici në Vorë që ka parë gjithë ato makina dhe s’ka lajmëruar. Madje, s’i kam thënë atij burrit që dhe polici tatimor i Vorës duhet shkarkuar, se një herë paska gjobitur një burrë që shiste Coca-Cola para fabrikës së Gërdecit pa leje dhe s’ka parë ç’bëhet brenda. I duhet shkuar deri në fund këtyre plehrave. Se bënë kiametin. Vranë gjithë ata njerëz dhe përfolën qeverinë, vetëm pse aty u vra dhe baxhanaku i atij burrit, që ishte fukara, për bukë të gojës mbante arka në kurriz gjithë ditën dhe nuk i tregonte asnjërit nga familja e atij burrit. Tani, mirë që vdiq burri i botës, por paska faj dhe ai burri, pse s’e ka ditur që e ka baxhanak dhe që punonte në Gërdec. Ti nuk e njeh atë burrin, ndaj thua kështu. Po ta njihte ai, nuk e linte kurrë të punonte në Gërdec.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›