E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Deklaratat e diplomatit amerikan janë trillime

Kryeministri Berisha, në prezantimin e punës së qeverisë për periudhën 7-mujore, janar- korrik 2008, iu përgjigj interesimit të medieve lidhur me çështje të ndryshme

Zoti kryeministër, si do të veprohet me titujt e pronësisë?


Së pari, ligji nuk prek dhe nuk do të prekë asnjë metër katror, por përkundrazi do të bëjë pronarë përfundimisht të gjitha ata që kanë marrë tokën me Ligjin 7501. Ligji do të zhveshë nga çdo titull të gjithë ata që kanë përvetësuar, tokat, pyjet dhe kullotat e këtij vendi, nëpërmjet mashtrimit, falsifikimit dhe në mënyrë të pamerituar.

Në tërësinë e tyre, më lejoni t’ju informoj, se këta janë njerëz të të gjitha pushteteve, që ka patur Shqipëria këto 18 vjet. Dje, u bë e gjallë një parti e vogël, por, me sa duket, me dorë të gjatë, e cila doli dhe foli kundër ligjit. Unë ju garantoj se tani ligji do të veprojë. Ky ligj është bërë për t’u zbatuar dhe do të ketë prerogativa të tjera shumë të forta më pas. Tre muaj do të jenë periudhë amnistie. Në tre muaj kushdo që e dorëzon tokën, ajo njihet e paqenë, përndryshe askush nuk do të mund të gëzojë tokën e grabitur, në mënyrë të pamerituar.

Përveç rezultateve të këtyre 200 ditëve që ju numëruat, a mund të na thoni, sa ka qenë papunësia në këtë periudhë të gjysmës së parë të vitit?

Për sa i përket problemit të papunësisë ka shifra të ndryshme. Ka shifra që flasin për 11% apo 13 %. Për fat të keq është një çështje, për të cilën nuk mund të japësh një shifër të saktë. Por një gjë është e sigurt. Gjeneratori më i fuqishëm i punësimit është rritja e shpejtë ekonomike. Kjo është përgjigjja më e shkëlqyer ndaj papunësisë. Pastaj mbetet qartësimi i saj nëpërmjet luftës kundër informalitetit.

Në seancat e fundit të parlamentit marrëdhëniet mes mazhorancës dhe opozitës kanë shfaqur një tension relativisht të lartë. Duke lënë mënjanë konsumimin elektoral të kësaj periudhe, sa angazhoheni ju që marrëdhëniet me opozitën të jenë realisht konstruktive?

Në tërësi kjo periudhë ka qenë periudha e bashkëpunimit të hapur dhe të ndershëm dhe luftës normale, më të suksesshme nga të gjitha palët. Ka patur debate për sa i përket ligjit të titujve. Nuk e kuptoj se, përse opozita nuk e votoi ligjin. Opozita duhet të kishte vetëm një qëndrim. Duhet ta paraqiste ajo këtë ligj, sepse, edhe në qoftë se ka një grup njerëzish të opozitës, që kanë abuzuar, interesi i saj jetik është që të çlirohet prej tyre. Kjo është një nga mundësitë e mëdha të opozitës. Së dyti, bëhet fjalë për ligjin e dosjeve. Ju jeni dëshmitarë se, pas zgjedhjeve të 2005, opozita ishte e para që ngriti problemin e dosjeve. Ishte opozita që deklaroi se kishte hartuar një ligj të ri për dosjet. Ishte opozita që tregoi me gisht, duke akuzuar në mënyrën më të padrejtë, më të pabazë njerëz, të cilët kishin kaluar tre certifikime. Ky është një problem, i cili kërkon zgjidhje dhe jo mbyllje. Mund t’ju them një vend që ka bërë një nga zgjidhjet më të plotat dhe sërish, aty ku ka patur mangësi, janë ngritur çështjet. Do të bëjmë përpjekje së bashku me opozitën t’i japim zgjidhje këtij problemi, pasi është në interesin më të mirë si të pozitës, dhe opozitës, t’i jepet një zgjidhje kësaj çështjeje.

Opozita kërkon që të mos verifikohen ata që janë verifikuar. Atëherë, shtrohet pyetja, përse nuk e përshinë këtë në ligj? A do të ishte i besueshëm ky proces? Ai që është i verifikuar, nuk duhet të ketë frikë nga verifikimi. Do të jetë qesharake, nëse ne themi të mos verifikohen ata që janë verifikuar. Së dyti, opozita kërkon të mos preken mandatet. Po t’i referohemi eksperiencës ndërkombëtare, të tjerët i kanë prekur mandatet dhe kanë shkuar shumë më thellë deri në ndjekje penale. Referojuni ligjit polak të kujtesës kombëtare. Nuk është në interesin e askujt, të kesh një njeri, i cili ka torturuar në mënyrën më çnjerëzore një njeri tjetër për besimin te Zoti ose ka shërbyer si ekzekutor. Në 20 vitet e fundit të diktaturës nuk përdornin skuadër ekzekutimi. Ishin prokurorët ata që ekzekutonin. Sigurisht që kjo është një pakicë njerëzish, pasi edhe në diktaturë shumica e gjykatësve nuk lejoheshin të bënin gjyqe politike. Prokuroria që merrej me çështjet politike ishte e veçantë. Nuk e kuptoj, përse opozita e trajton në këtë mënyrë. Sigurisht që mund të kishte diskutime, në qoftë se bëheshin kërkesa ekstreme, por këtu nuk ka asnjë kërkesë të tillë. Ne e shtymë ligjin, me shpresën e vetme që të gjejmë mirëkuptim me opozitën. Në rast se ne pranojmë që të mos bëjmë verifikime, e bëjmë qesharak këtë ligj. Për sa i përket bashkëpunimit me opozitën unë jam optimist. Edhe për Kodin Zgjedhor unë shpresoj që të gjejmë frymën e bashkëpunimit për ato që janë interesi ynë i përbashkët. Ju siguroj se unë nuk kam interes më të veçantë për Kodin Zgjedhor sesa opozita. Janë çështje, të cilat nuk na ndajnë. Për këtë jam optimist.

Në një kapitull shumë të gjatë ju shpjeguat me detaje dhe vit pas viti rritjen e pagave dhe të pensioneve. Si qytetare desha të dija për ballafaqimin e këtyre shifrave me rritjen marramendëse të çmimeve. A ka qeveria një raport midis rritjes së pagave dhe pensioneve dhe dyfishimit të çmimeve të artikujve kryesorë jetikë për shqiptarët?

E vërteta është që në Shqipëri dhe në të gjithë botën rritja e çmimeve vlerësohet me atë që quhet indeksi i çmimeve. Indeksi i çmimeve, në tre vitet që bëj fjalë, ka qenë 8, 9 ose 9 % po të përfshijmë korrikun, të marra së bashku. Ky indeks fshihet apo zerohet, jo me rritjen e pagave që kemi bërë, por vetëm me atë që japim në fund të vitit, qoftë punonjësve, qoftë pensionistëve dhe të jeni të sigurt se, në qoftë se indeksi ka qenë 8,9 %, apo mund të jetë dhe 9,1 në muajt e ardhshëm, pagat p.sh., për mësuesit janë rritur me 75 %. Rregulli nuk është ky, sipas të cilit veprojmë ne. Ky është përjashtimi që bëjmë ne me rrogat dhe pensionet. Rregulli është vetëm indeksimi dhe ky është një rregull i domosdoshëm, por duke parë se arsimi po shpartallohej, se shëndetësia po largohej, si dhe duke parë dhe shumë arsye të tjera, ne ndërmorëm rrugën, e cila realisht ka qenë nisma jonë më e vështirë.

Situata energjitike vazhdon të mbetet akoma në një pikëpyetje. Në Shqipëri ka ende ndërprerje të energjisë. Si paraqitet zgjidhja e krizës energjitike? A do të kemi një zgjidhje përfundimtare brenda mandatit tuaj qeverisës?

Furnizimi me energji elektrike, në këto 7 muaj, siç e keni konstatuar të gjithë, përveç riparimeve, të cilat sipas ekspertëve janë të domosdoshme të bëhen në verë, ka qenë i pandërprerë. Unë e kam deklaruar dhe e deklaroj se ne do të importojmë energji, aq sa të gjejmë, pavarësisht nga çmimi. Por importet kanë disa kufizime në rajonin e Ballkanit. Aktualisht, po përpiqemi të shpejtojmë punimet e TEC-it të Vlorës, si dhe të shpejtojmë ndërtimin e linjës me Malin e Zi. Po të më pyesnit se cilën do të preferoja në fillim, mund t’ju them se do të preferoja linjën, pasi çmimi i naftës ka kapur shifra shumë të larta.

Folët për ndryshimin e imazhit të Shqipërisë në këto 7 muaj. A mund të kuptojmë sa ka ndryshuar imazhi i Shqipërisë me ngjarjen e 15 marsit në Gërdec?

Së pari, varet se çfarë kupton me imazh. Por nuk besoj se ky vend mund të kishte përmirësim më madhor imazhi sesa ftesa për anëtarësim në NATO dhe kjo ftesë u dha më tre prill. Dhe nuk besoj se kishte përmirësim më madhor imazhi sesa hapja e negociatave për liberalizmin e vizave apo deklarata e ministrave të Jashtëm të BE në qershor, në Ljubljanë, të cilët i konsideruan reformat në Shqipëri si frymëzuese. Ndaj dhe për ata, të cilët shfrytëzuan Gërdecin nën moton “Rroftë vdekja, poshtë qeveria”, shpresoj që këto zhvillime t’ju japin mësimin e duhur.

Bazuar dhe në gatishmërinë e qeverisë për të ndihmuar hetimin për Gërdecin, sa mund të ndihmoni ju në këtë hetim, duke patur parasysh deklaratën e një diplomati të SHBA në Tiranë, i cili shprehet se është pikërisht qeveria që e pengon këtë hetim?

Nuk ekziston asnjë deklaratë e asnjë diplomati dhe e asnjë zyrtari se qeveria po pengon hetimet. Ky është një dezinformim. Ju këshilloj t’i lexoni mirë deklaratat. Së dyti, qeveria ka dhënë të gjithë ndihmën që i takon të japë. Janë marrë të gjitha masat administrative ndaj të gjithë personave potencialisht ose direkt të lidhur me këtë ngjarje. Qeveria ka plotësuar çdo kërkesë të bërë. Së treti, qeveria ka bërë kërkesa të caktuara në vendet mike për të kontribuar në zbardhjen e së vërtetës së këtij hetimi. Këto mund të bëjë qeveria, hetimin nuk mund ta bëjë dot. Ata që mendojnë se qeveria ka penguar hetimet, po trillojnë. Nëse ka institucion më të interesuar për zbardhjen e ngjarjes së Gërdecit, ajo është qeveria shqiptare.

Si do të ecë dëmshpërblimi për qytetarët e Gërdecit, duke patur parasysh që shpeshherë ka patur ankesa dhe nga vetë qytetarët atje?

Duke mos përjashtuar raste të caktuara, sepse në çdo vlerësim dhe kushdo që ta bëjë atë, mund të ketë një mundësi gabimi, mund t’ju them se ai dëmshpërblim është i paprecedent, është një nga dëmshpërblimet më të plota, më të ndershme që është bërë ndonjëherë. Është llogaritur gjithçka me koston e qendrës së Tiranës. Dhe koston që e pranuan vetë ndërtuesit e Tiranës dhe nuk e caktoi qeveria. Disa elemente nga media u përpoqën me javë të tëra që t’i nxirrnin në protestë banorët, por, siç e patë, nuk e arritën dot këtë.

Përfaqësuesit e OSBE vetëm disa ditë më parë, ripërsëritën kërkesën për qeverinë për të mbyllur sistemin e adresave, për të dorëzuar kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike përpara zgjedhjeve parlamentare, të cilat tingëlluan disi dyshuese, nëse qeveria do të mund t’i përmbushë këto afate. ǒmund të na thoni për këtë?

Lidhur me sistemin e adresave, unë jam optimist se ne do të kemi sistemin më të mirë të adresave që kemi patur ndonjëherë. Optimizmin tim e bazoj në ekipet që angazhoj, në hartën dixhitale centimetrike që ne disponojmë, në projektin e përgatitur nga OSBE dhe fondet e mobilizuara për këtë qëllim. Për sa i përket letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike, kontrata i përcakton qartë detyrimin kompanisë për t’i prodhuar në kohën e duhur, para zgjedhjeve. Një problem mbetet i hapur dhe këtë do ta diskutojmë me opozitën. Ai i qytetarëve që nuk votojnë. Ka një grup njerëzish që nuk votojnë, por unë mendoj se së bashku me opozitën mund të përcaktojmë një sanksion ligjor për këtë rast, kurse për ata që duan të votojnë, i siguroj se do t’i kenë gati këto dokumente. Kompania është një kompani me kapacitete të jashtëzakonshme. Në raste të tjera, kjo kompani në një periudhë kohore gjashtëjavore ose dymujore ka dorëzuar miliona karta.

A po i merrni në konsideratë sinjalet e vazhdueshme të aleatëve tuaj për të patur ndoshta një konfederatë përpara zgjedhjeve parlamentare të viti 2009? A do të ketë një bashkim me PDR, sepse sinjalet janë të forta?

Unë gjithnjë përpiqem të gjej një gjuhë mirëkuptimi me aleatët. Mbetem i hapur të diskutoj bashkim, federatë apo konfederatë qoftë. Përderisa qeveris me ta, do të gjejmë çdo formë bashkëpunimi, si të jetë e përshtatshme për ta.

Në mbyllje të konferencës për shtyp, kryeministri Berisha u shpreh: “E zhvillova këtë konferencë, sepse në javët në vazhdim do të më duhet të takohem me ju për trevjetorin e qeverisë, takim i cili do të më shërbejë mua për vrullin e ri në vitin e fundit, të cilit në fakt i kanë kaluar dy muaj, pasi zgjedhjet e ardhshme do të jenë në qershor.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›