Kriza në Lindjen e Mesme rrit inflacionin në Shqipëri, shtrenjtimi i naftës dhe kostove të transportit ka sjellë rritje të çmimeve

Kriza në Lindjen e Mesme ka nisur të ndikojë në rritjen e kostos së jetesës në Shqipëri. Inflacioni për muajin prill 2026 arriti në 2.8%, nga 2.6% që ishte në mars, duke shënuar nivelin më të lartë që nga janari 2024.
Rritja e çmimeve u ndikua kryesisht nga shtrenjtimi i karburanteve, ku nafta kaloi mbi 200 lekë për litër pas nisjes së luftës.
Sipas INSTAT, sektori më i prekur ishte transporti me një rritje prej 8.5%, i ndjekur nga qiratë dhe energjia. Krahasuar me marsin, çmimet e konsumit u rritën me 0.3%, ndërsa disa kategori si argëtimi dhe shërbimet pësuan gjithashtu rritje.
Banka e Shqipërisë vendosi të mbajë normën bazë të interesit në 2.5%, duke synuar ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.
Gjatë një konference, Guvernatori Gent Sejko deklaroi se ndikimi i rritjes së çmimeve të energjisë dhe naftës pritet të jetë i përkohshëm dhe pa pasoja afatgjata për ekonominë shqiptare.
/rtsh.al/