E Diel, 1 Nëntor 2026

UBT, memorandum mirëkuptimi me një universitet homolog hungarez

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT) Fatbardh Sallaku mirëpriti në takim zyrtar në ambientet e universitetit, ambasadoren e Hungarisë në Shqipëri, Martina Kasnyik, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit me partnerë dhe institucione europiane.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e zgjerimit të marrëdhënieve akademike dhe shkencore mes dy vendeve, ndërsa u bë e ditur se javën e ardhshme UBT pritet të nënshkruajë një Memorandum Mirëkuptimi (MoU) me një universitet homolog hungarez.

Sallaku tha se, “kjo marrëveshje synon të nxisë shkëmbimet e studentëve dhe stafit akademik, bashkëpunimin në projekte kërkimore, si dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta në fushën e arsimit dhe shkencës”.

Ambasadorja Kasnyik do të jetë gjithashtu pjesë e aktiviteteve të konferencës ndërkombëtare CASEE 2026, e cila do të zhvillohet javën e ardhshme në ambientet e UBT.

“Pjesëmarrja e saj në këtë konferencë vlerësohet si një tregues i rëndësishëm i rolit që Universiteti Bujqësor i Tiranës po luan në ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë dhe në forcimin e lidhjeve akademike me universitetet dhe institucionet europiane”, u shpreh Sallaku.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›