E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza ne Maqedoni

Takimi i i liderëve partiakë i ftuar nga presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov nuk i ka dhënë fund krizës politike në Maqedoni.

Lideri i partisë më të madhe opozitare Branko Cërvenkovski ka paralajmëruar se subjekti i tij do të vazhdojë bojkotin e Parlamentit pasi kërkesa e tij për zhbllokimin e xhirologarisë së televizionit A1, është hedhur poshtë nga kryeministri Gruevski.

“Pikërisht se Gruevski solli vendim politik që të përzihet në punët e gjykatës dhe të bllokojë llogarinë financiare të televizionit A1, pikërisht për këtë tani mban përgjegjësi për tejkalimin e situatës. Ne theksuam se ky është parakushti jonë për të biseduar për çështjet tjera dhe për kthimin tonë në Parlament”, është shprehur Cërvenkovski.

Kryeministri Gruevski tha se nuk mund të pranojë kushtin e Cërvenkovskit për zbllokimin e xhirollogarisë së televizionit A1, pasi një gjë e tillë është në kompetencë të gjykatës.

“Nga ajo që u tha në takim mund të konstatoj se opozita nuk është e interesuar për tejkalim të krizës dhe as për zgjedhje të parakohshme. Opozita parashtron kërkesa jo legjitime dhe për cilat vendos Gjykata dhe jo kuvendi e qeveria”, tha Gruevski.

Nga ana e tij, presidenti Ivanov ka bërë thirrje që çështjet e hapura të zgjidhen në rrugë institucionale.

Ai ka propozuar formimin e një komisioni parlamentar që do të shqyrtonte kërkesat e opozitës që kanë të bëjnë me Kuvendin, por propozimi i këtillë është hedhur poshtë nga opozita.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›