Kriza politike e së majtës
Termi i djathtë, i majtë, ka bërë rrugë në gjuhën politike moderne, gjatë Revolucionit Francez, në periudhën e Kushtetutës, dhe pikërisht me rastin e debatit mbi të drejtën e mbretit për të vënë veton. Ata që favorizonin mbretin për një të drejtë vetoje, të pakushtëzuar mbi vendimet e asamblesë, uleshin në të djathtë, kundërshtarët uleshin në të majtë. Kështu, e djathta u identifikua me realistët dhe u bë sinonim i konservatorizmit, reaksionit dhe hierarkisë. E majta u identifikua me forcat revolucionare, të shoqëruara me progresin, barazinë dhe të renë.
Po flasim për shekullin XVIII dhe që atëherë deri në shekullin XXI, skena politike ka pësuar transformime të jashtëzakonshme, që e kanë modifikuar në mënyrë radikale fizionominë politike. Ndarja, e djathtë dhe e majtë, dyzoi kampin politik, çka kulmoi me ndarjen e kontinentit evropian, në Lindje dhe Perëndim, duke identifikuar veprime, lëvizje, ideologji dhe regjime. Përveç kontrasteve politike, e djathta është parë si një forcë, e cila, që në origjinë, ka vënë përparësi diferencat sociale (duke e parë në mënyrë vertikale, superiore, inferiore), ndërsa e majta është parë si një forcë që u kundërvihet diferencave sociale (e shikon në mënyrë horizontale, shikon diferencat e seksit, gjuhës, fesë etj.).
Megjithatë, sot gjatë transformimeve të thella që kanë pësuar kampet politike, kemi për pasojë edhe përcaktime të reja, si e djathta e re ose neoliberalizmi dhe për të dytën, e majta e re ose progresistët. Përtej termave dhe fjalëve, diferencat midis këtyre dy pozicioneve nuk janë të pakta. Dhe nuk janë të vogla konsekuencat, që qeveritë e djathta apo të majta mund të prodhojnë mbi jetën e të gjithëve, mbi mundësinë ose jo për të pasur një nivel jetese shumë më të mirë apo një jetë kulturore më të pasur.
E majta, megjithëse është konsideruar forcë progresiste që synon dhe tenton të renë, është duke përjetuar një krizë politike, ideologjike, në të gjithë Evropën. Ajo ka një barrë të dyfishtë, pra dhe mundësia për të hyrë në krizë rezulton të jetë më e madhe. Së pari, duke u konsideruar forcë progresiste, duhet detyrimisht të tentojë të renë, por edhe të bindë të gjithë spektrin politik, që kjo e re funksionon dhe është vërtet një progres për shoqërinë. Në këtë aspekt, forcat e djathta janë në pozicion më komod, pasi janë konsideruar forca konservatore, të cilave thjesht u duhet të ruajnë pozicionet e tyre, të ruajnë çka kanë arritur. Së dyti, rënia e Murit të Berlinit i rrënoi forcat e majta edhe si ideologji, duke i vënë në një krizë identiteti edhe më të thellë. Sot, ky krah politik ndodhet ende në një kaos, pasi pasojat e regjimeve komuniste nuk janë zhdukur dhe e gjithë shoqëria është mosbesuese, nëse duhet ta ndjekë si ideologji.
Por, a ka stabilitet organizativ dhe dirigjues të ish-komunistëve? Shqetësimi kryesor i komunistëve, pas rënies së Murit të Berlinit më 1989-n, ka qenë shmangia e revizionimit të ideologjisë, për të mos vënë në rrezik pozicionet e fituara të pushtetit. Dhe kjo gjë e vendos këtë krah politik në krizën më të madhe, pasi ajo si ideologji rezultoi e dështuar. Kjo i bën të djathtët të bindur në supremacinë e tyre dhe të suksesshëm në të gjithë Evropën, pasi kanë nuhatur që mazhoranca e votuesve refuzon të drejtohet nga ish-post-neo-komunistët. Duke vazhduar të mos reformojnë atë ideologji, ata gjithnjë e më tepër rezultojnë në pamundësi për t’u prezantuar si alternativë e besueshme, përballë qendrës së djathtë, ashtu si çdo skenar politik do të dinte të paraqiste përpara publikut. Problemet më të mëdha për qendrën e majtë shkojnë përtej strategjive dhe kanë lidhje me përmbajtjen e propozimeve politike, që duhet t'i paraqesin elektoratit. Dhe shembull është një deklaratë të ish-kreut të qendrës së majtë italiane Rutelli: “I kemi dedikuar 90% të kohës diskutimit për rregullat dhe format dhe 10% përmbajtjes. Le t'i përmbysim prioritetet”.
Identike duket situata në Shqipëri. Të majtët shqiptarë nuk po tregojnë aftësi të paraqiten përpara publikut me alternativa të qarta, konkrete, efikase dhe të vërtetojnë se përse do të jenë më të suksesshëm se forcat e djathta. Dhe në fakt, ajo që e vendos edhe më në krizë të majtën, në të gjithë Evropën, është që mbahet në kritika sipërfaqësore, të cilat sigurisht nuk mund të merren në konsideratë. Po të shohësh të gjitha pretendimet e të majtëve shqiptarë për hapjen e kutive, vërtiten rreth një absurdi, të pabazuar në asnjë fakt, ku ka zëra edhe nga brenda selisë rozë, se nuk ka asnjë dëshmi parregullsie. Bagget Bozzo, një eksponent i konservatorizmit katolik italian shprehet se "e majta e konsideron vetveten si forca e vetme politike progresiste, racionale dhe rrjedhimisht legjitime. Forcat e tjera janë të dënuara në një faliment të sigurt dhe mbështeten në mënyrë transitore vetëm nga ata, që nuk e kuptojnë ecurinë e historisë. Të gjitha gabimet, sipas Bozzo-s, i kanë ardhur nga ky mëkat mendjemadhësie". Të majtët shqiptarë e kanë tejkaluar kufirin e mendjemadhësisë, kanë hyrë në kufijtë e fajit. Në një shtet ligjor, në një shtet të së drejtës, cilido që nuk zbaton ligjin apo e refuzon atë, quhet automatikisht fajtor. Dhe Partia Socialiste Shqiptare nuk po bën gjë tjetër, veçse po jep shembullin e një shkelësi të ligjit. Kjo tashmë konsiderohet e tillë nga i gjithë spektri politik ndërkombëtar, për sa kohë i sugjeron dhe bën presion për kthimin në Parlament, ngritjen e komisionit hetimor, por pa u prekur vendimet e gjykatës. Të mos zbatosh vendimet e gjykatës, do të thotë ta kesh shkelur atë. Në një rrugë normale gjyqësore, ata që nuk zbatojnë vendimet e gjykatës, detyrohen ta zbatojnë atë nëpërmjet përmbarimit. Po në politikë? Pse ende politika shqiptare duhet të marrë status paprekshmërie, në krahasim me njerëzit e thjeshtë, qytetarë të Republikës së Shqipërisë? Deri më tash, është ecur me teorinë se asnjë veprim politik nuk duhet cenuar, pasi është politike dhe merr automatikisht legjitimitet. Në një shtet demokratik askush nuk mund të shkelë ligjin, aq më tepër brenda tempullit, ku hartohen këto ligje. Të gjitha këto lëvizje ua shtojnë mëkatet forcave të majta, të cilat për një gjysmë shekulli ndoqën këto praktika antiligjore dhe u bënë shkak për një dështim të bujshëm dhe të paprecedent. Komunizmi u identifikua gjatë implementimit si ideologji, me ligje fiktive, moszbatim ligjesh dhe me veprime antiligjore. Prandaj, ai konsiderohet, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë Evropën, si jo i besueshëm. Kjo është ajo çka nuk po kupton e gjithë e majta, në përgjithësi. Ka frikë nga ndryshimet rrënjësore të domosdoshme, për të ruajtur një pushtet fiktiv.
Dhe çudia po ndodh, që në të gjithë Evropën këto forca të majta, të konsideruara progresiste, kanë stopuar në vend numëro, pa qenë në gjendje për ndryshime rrënjësore. Shumë më reformatorë po tregohen forcat e djathta, ngado nëpër Evropë. Ata po u shtrijnë dorën e bashkëpunimit forcave të majta, gjatë qeverisjeve së tyre. Kjo, detyrimisht do të sjellë ngushtim diferencash mes dy kampeve, që do të reflektojë në ndryshime rrënjësore, për një të mirë të përbashkët. Dhe, me sa duket, këtë përpjekje për bashkëpunim po e ndërmarrin të parët si hap forcat e djathta. E çuditshmja është, që pikërisht këto forca të djathta, të cilësuara si konservatore, po tentojnë ndryshimin e madh dhe cilësor, bashkëpunimin. Dhe ky ndryshim nuk është i pakët. Bashkëpunimi detyrimisht do të sjellë zvogëlimin e ndryshimeve rrënjësore, që kanë karakterizuar këto forca politike.
Janë këta të djathtë, që po konfigurojnë politikën e kontinentit evropian me politika më elastike, për hir të një të ardhmeje më të mirë. Këta të djathtë, që deri dje janë vlerësuar konservatorë, që kundërshtonin lëvizjet sociale, të quajtur individualistë (të djathtët i referohen individit, ku në kompeticion të mund të fitojë më i miri, ndërsa të majtët kanë pikë referimi grupin me problemet dhe interesat e përbashkët), po bëjnë sot një politikë të hapur ndaj krahëve kundërshtarë politikë, duke qenë bashkëpunues me ta.
Këtë rol duhet ta luanin të majtët, të konsideruar progresistë. Në fakt, gati prej 20 vitesh merren me ndryshime emrash apo krerë partish e koalicionesh, pa qenë në gjendje ta radikalizojnë ideologjinë e tyre, që po konsiderohet gjithnjë e më tepër e dështuar. Dhe si për fat të keq të të majtëve, kohët e këqija për ta do të vazhdojnë. Ekonomia po jep sinjale të rimarrjes së vetes, papunësia është në rënie, pagat duket se do të jenë më substanciale. Kjo do të thotë që kapitalizmi ende do t’i ruajë pozicionet edhe për një kohë të gjatë. Për pasojë, edhe forcat e djathta duket që do të kenë më shumë sukses e qëndrueshmëri.