E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si (s) duhet të zgjidhet ngërçi politik

Një delegacion monitorues pritet të vizitojë sërish Tiranën për t’u mbushur mendjen politikanëve tanë se duhet të ulen dhe të flasin me njëri-tjetrin.
Duhet thënë se në Bruksel dhe Strasburg ka aq shumë nga ata që presin momentin për t’u bërë pak “negociator” saqë në momentin e parë që një zë nga politikanët e Tiranës përmend togfjalëshin “faktori ndërkombëtar”, rendin të prononcohen dhe të rendisin porosi për dialog e mirëkuptim. Në thelb, nuk ka asgjë te keqe, pasi demokracia shqiptare, me gjithë arritjet, mbetet ende e brishtë në aspektin e respektimit të institucioneve dhe ligjit dhe thirrjet për dialog që vinë nga kancelaritë e Evropës nuk i bëjnë keq demokracisë sonë.
Ky është një element i rëndësishëm që miqtë ndërkombëtarë duhet ta kenë parasysh kur marrin në analizë situatat politike në Shqipëri. Qëndrimet për bojkot të institucioneve apo thirrjet e vazhdueshme se “vendi është përfshirë nga kriza” nuk do të thonë domosdoshmërish se kjo krizë eksiton vërtet apo që nuk është produkt i interesave banale vetjake dhe partiake. Sigurisht dhe e kundërta e kësaj situate është më se e vlefshme. E megjithatë, rezoluta e KiE-së dhe ardhja e misionit tashmë janë fakte dhe debati i brendshëm është përqendruar në rolin, në faktin nëse duhet apo jo që Presidenti Bamir Topi të thërrasë një tryezë politike me pjesëmarrjen e dy partive kryesore. Të dyja kampet janë angazhuar në një betejë për të sfiduar njëri-tjetrin në lidhje me pranimin e rolit të Presidentit si negociator mes palëve.
Qëndrimi i Partisë Socialiste prej ditësh është përqendruar vetëm për të treguar se mazhoranca nuk dëshiron që të ulet në një tryezë bisedimesh, të thirrur nga Presidenti i Republikës. Pikërisht në këtë pikë, socialistët bien në një kontradiktë të madhe me veten e tyre. Lidershipi socialist po mundohet prej kohësh t’i përcjellë opinionit publik faktin se mazhoranca dhe Kryeministri nuk i beson kreut të shtetit dhe se nuk dëshiron që t’i japë atij meritat e zgjidhjes së ngërçit politik. Në këtë rast duhet të kujtojmë qëndrimin e Partisë Socialiste ndaj këtij Presidenti në momentin e zgjedhjes së tij, por edhe më pas. Nuk janë të pakta deklaratat e lidershipit opozitar që vinin në diskutim legjitimitetin e Presidentit dhe e akuzonin atë ose paragjykonin se një person që nuk mund të ishte i pavarur dhe që nuk mund të garantonte ekuilibrat politikë. Ky qëndrim i socialistëve dhe vetë kreut të partisë më të madhe opozitare në lidhje me figurën e Presidentit apo vënia në diskutim e aftësisë së kreut të shtetit për të qëndruar mbi palët në të shkuarën e afërme, do të jetë një pengesë e madhe për opinionin publik që të besojë në sinqeritetin dhe seriozitetin e opozitës në lidhje me këto bisedime.
Nga ana tjetër, qëndrimet e palëve janë diametralisht të kundërta, duke vënë në diskutim rezultatin e një tryeze të mundshme. Fakti nëse hetimi i zgjedhjeve do të përfshijë apo jo hapjen e kutive, ndan qëndrimin e palëve dhe duket se do të përcaktojë edhe fatin e bisedimeve. Secila nga dy partitë kryesore do ta cilësonte si humbje të madhe tërheqjen nga qëndrimi në lidhje me hapjen e kutive dhe kjo e bën akoma më të vështirë situatën. Nëse për momentin zgjidhja e situatës është bërë emergjente, pazari politik do të ishte mënyra më e keqe e zgjidhjes. Mënyra “më jep këtë, që të heq dorë nga kjo” është elementi më negativ i historisë së politikës shqiptare në këto vite të tranzicionit.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›