E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antiarkitektura!

Dy pedagogët e Akademisë së Arteve, Najada Hamza dhe Ardian Isufi janë kuratorët e çmimit “AMC prize 2009” të artit bashkëkohor për artistët e rinj. Koncepti “Maket” është përmasa urbane që do të marrë ekspozita për të reflektuar realitetin lëvizës se si jetojnë shqiptarët në një kufizë artistike, siç është imagjinata se si do të donin të ishte qyteti. Kuratorët tregojnë përballjen sfiduese të një fuqie jo vetëm imagjinative, por dhe ndjesore, për të marrë mendimin si lëvizje artistike jashtë një kuadri të thjeshtë që mund të ofronte ky çmim

Duke i hedhur një sy fjalorit...
MAKET
1. Modeli i një vepre arti, i një ndërtese a grupi ndërtesash, i një makine,
i një vegle etj., i zvogëluar ose në madhësi natyrore.
Maketi i ndërtesës (i urës). Maketi i një fshati (qyteti). Maketi i skenës.
2. Libër i hartuar në dorë të parë, që qarkullon përkohësisht e i shtrohet diskutimit para se të marrë trajtën përfundimtare. Diskutimi i maketit.
1. Aty krijohet objekti arkitekturor i pastër, ai që u shpëton arkitekteve, që e mohon prerazi qytetin dhe zakonet e tij, mohon interesin e kolektivitetit dhe të individëve, këmbëngul në delirin e vet dhe nuk ka të barasvlershëm tjetër përveç krenarisë së qyteteve të Rilindjes...Jo nuk duhet humanizuar arkitektura. Antiarkitektura, ajo e vërteta, jo njerëzorja, ajo që kapërcen njeriun...pa respektuar vëllimin, mirëqenien ose ekologjinë ideale. Ajo ka luajtur me teknologjitë e forta, i ka tepruar të gjitha përmasat, ka vënë bast mbi qiellin dhe mbi ferrin...Qytetet nuk kanë mjaft hapësirë - apo më mirë e tëra ajo shpallet si publike, është e tejmbushur me të gjitha shenjat e skenës publike, ajo të ndalon ta përshkosh, apo të ngjitesh si një shkretëtirë, ose hapësirë indiferente.
Ndofta rruga... nuk i njeh çastet historike, por ajo është gjithmonë e zahamallishme, vitale, kinetike dhe kinematografike, në pajtim me imazhin e vendit të vet, ku thjesht skena historike dhe politike vihen pak në kandar, po ku rrezikshmëria e ndryshimit, të cilin e kanë mëkuar përmes teknologjisë, mediave, është i madh: është vetë dhuna e mënyrës së jetesës... Në krizën e tashme të vlerave, përmes një forcë teatraliteti, që të gjithë kthehen drejt kulturës që ka guxuar t'i materializojë pa pritur gjatë këto gjëra...
...O dite të bukura! Këtë mëngjes një zog ka ardhur të vdesë mbi ballkon dhe e kam fotografuar. "Jean Baudrillard"
2. Psikofizika urbane dhe arkitektonike... si ne i përjetojmë ato?... si në situatojmë me hapësirën publike ku ndodhet shtëpia jonë e vogël dhe e madhe?... që do të thotë të reagosh, pickosh publikun me reflektime artistike si libër i hartuar në dorë të parë, që qarkullon përkohësisht e i shtrohet diskutimit para se të marrë trajtën përfundimtare... pra diskutimi i maketit si projekt artistik sensibilizues.

Box gri
Kur jemi mbi bulevard- çfarë mendojmë!?
“Maket” titullohet koncepti kuratorial i këtij edicioni i ideuar nga bashkëkuratorët Najada Hamza dhe Ardian Isufi dhe i koordinuar nga Genc Përmeti. Kjo është eksperienca e dytë me “AMC Prize” e këtij ekipi organizativ kur një vit më parë kjo eksperiencë ishte ekspo “Trego dhe një Ngjarje” e cila u konsiderua si e suksesshme, për atmosferën artistike që krijoi dhe impaktin e drejtpërdrejtë që pati kjo ngjarje tek publiku. “Maket” ka si target studentët e Akademisë së Arteve - Atelie Grafika / Mode&Tekstil / Multimedia / Pikturë, që njëkohësisht janë dhe artistë të rinj për t’i krijuar shanset e bashkëpunimit artistik mbi një temë urbane dhe arkitektonike për një realitet të caktuar dhe të përcaktuar prej tyre si një dëshmi artistike... Gjithashtu kjo vlerësohet nga kuratorët si një eksperiencë e re dhe e vyer për studentet, të cilët përballen dhe ballafaqohen me ide të ndryshme nëpërmjet procesit të konkurrimit. “Maket” përqendrohet në realizimin e objekteve tre dimensionale të inspiruara nga projekte arkitektonike dhe struktura urbane ku do të shtrihen ndërhyrjet artistike për të stacionuar konstatime të një shoqërie tranzitore me kontraste dhe diferenca të jashtëzakonshme...Ky diskutim do të ketë jo vetëm karakter pamor por edhe të debatit në formën e tryezës së rrumbullakët me individë apo grupe të interesuara për të mësuar më shumë rreth kësaj infrastrukture të rrëmujshme ku individi e sheh veten si në një teatër të mbyllur të cilin e kufizon një bulevard periferik "Baudrillard". Ekspozita do të hapet në galerinë në Akademia e Arteve, më 9-20 shkurt.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›