E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kriza politike në Kosovë, partitë politike asnjë tërheqje për të zgjidhur ngërçin në Kuvend

Partitë politike parlamentare në Kosovë nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre lidhur me konstituimin e Kuvendit, duke vazhduar të fajësojnë njëra-tjetrën për ngërçin.

Deputeti i Vetëvendosjes, Nezir Kraki, tha se partitë opozitare nuk duhet ta politizojnë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

“Do të kishte qenë mirë të kishte pasur atë që quhet konsensus, pasi unë jam ithtar i konsensusit si parim. Ai është adresim i përbashkët në një orientim dhe vizion. Ky konsensus nga të gjitha partitë politike nuk u realizua dhe nuk u dëshmua. Për zgjedhjen e kryetarit ose kryetares së Kuvendit, unë e shoh këtë si diçka krejtësisht procedurale dhe nuk më ka dalë askund që kjo fazë ka pasur nevojë të tejpolitizohet dhe t’i bëhet dëm shtetit dhe pozicionit tonë”, u shpreh ai.

Ndërkohë deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, mendon se fryma e konsensusit është refuzuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Çfarë po shohim tani e disa muaj është grusht-shtet. Është përpjekje për të përmbysur në plotni rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Ideja e konsensusit është rrënuar pikërisht nga Lëvizja Vetëvendosje. Çfarë kemi parë në Kuvendin e Kosovës është një përpjekje për legjitimimin e diktatit, jo të dialogut si instrument në politikë bërje”, tha deputetja.

Kritika ndaj LVV-së për mungesë kompromisi shfaqi edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

“Më duhet ta rëndoj dozën. Nuk mendoj se është vetëm grusht-shtet, por është edhe një shkallë më e rëndë, pasi është vetgrusht-shtet. Grushtin po e bën partia që është në detyrë” , tha Bajrami.

Deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, tha se Vetëvendosja nuk ka interes për krijimin e Kuvendit të ri.

“Aleanca që nga dita e parë ka propozuar për dalje nga situata dy emra: zonjën Shqipe Selimi dhe Saranda Bogujevci. Duke parë situatën, kemi propozuar edhe zotin Glauk Konjufca. Edhe partitë e tjera kanë dhënë shumë zgjidhje, por LVV-ja çdo herë ka insistuar në emrin e Haxhiut. Pse nuk duhet ajo, u dhanë shumë arsye, por interesi i LVV-së nuk ka qenë për të formuar parlamentin”, theksoi Brahimaj.

Kosova ende nuk ka arritur të krijojë institucionet e reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Javën e kaluar, deputetët dështuan për herë të 54-t në konstituimin e Kuvendit, ndërsa skadoi edhe afati 30-ditor i dhënë nga Gjykata Kushtetuese, që i detyronte ata të mbyllnin përbërjen e Parlamentit të ri deri më 26 korrik.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›