E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza politike, negociatat PD-PS në udhëkryq

Përplasjet e fundit në Parlament zbehin mundësitë për kompromis. Klima e krijuar ditët e fundit nuk ndihmon negociatat


TIRANË - Teksa palët dukeshin pranë zgjidhjes së krizës politike, përplasjet e fundit në Parlament kanë zbehur mundësitë për arritjen e një kompromisi për hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit përmes fletëve të votimit.


Burime nga Partia Socialiste bëjnë të ditur se debatet e fundit në Kuvend, përplasjet, akuzat dhe sjellja e mazhorancës me opozitën, sidomos nga ana e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, kanë thelluar hendekun me Partinë Demokratike.


Sipas të njëjtave burime, në këto kushte të vështira, ku palët duhet të përpiqeshin të zhvillonin një dialog konstruktiv, të kishte mirëkuptim midis palëve dhe ka ndodhur e kundërta, kjo situatë nuk i shërben arritjes së një marrëveshje me Partinë Demokratike.


Më tej, socialistët theksojnë, se duke pasur parasysh gjithçka që ndodhi ditën e djeshme në Kuvend, zgjidhja e krizës politike, e parashikuar përpara mbylljes së këtij sesioni parlamenti është thuajse e pamundur.


Por, për të mos paragjykuar vijimin e situatës politike dhe atë që mund të vijë më pas, burime nga selia rozë theksojnë se negociatat midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për momentin janë në udhëkryq.


Në këto kushte, mundësia e ngritjes së një Komisioni Hetimor dhe fillimin e hetimit të zgjedhjeve, përfshirë kërkesën për hapjen e kutive të votimit nuk ka shumë gjasa që të ngrihet deri në muajin shtator. Vetëm dy ditë më parë, në raundin e dytë të negociatave, në fund të takimit Ruçi-Patozi, dy palët kishin rënë dakord që në varësi të situatës politike në Kuvend, palët të takoheshin për një tjetër raund bisedimesh.


Nga selia rozë mësohet se janë gjithnjë të gatshëm për të zgjidhur krizën politike në vend, të gatshëm për vijimin e negociatave, por sigurisht ata kërkojnë edhe vullnetin e Partisë Demokratike për kërkesat e tyre dhe jo një zvarritje të situatës. Në të kundërt, në muajin shtator rishikohet pozicioni i PS në raport me Parlamentin, si dhe nisja e protestave masive.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›