E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, apel Berishës: Ligjin fute aty nga e nxore

Pas debateve në Kuvend, kryesocialisti apeloi ndaj Kryeministrit që të tërheqë ligjin e SHISH për miratim, në të kundërt do të futet në një qorrsokak ku do të mbetet vetë

TIRANË - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka apeluar dje ndaj Kryeministrit Sali Berisha që të tërheqë ligjin e Shërbimit Informativ Shtetëror për miratim në Kuvendin e Shqipërisë, në të kundërt do të futet në një qorrsokak ku do të mbetet vetë.


Deklarata e ashpër e kryesocialistit u bë pas debateve të zhvilluara në seancën e djeshme plenare për miratimin e ligjit të SHISH, ku mazhoranca insistoi për miratimin e tij. Lideri i selisë rozë, përveç apelit, i uroi Sali Berishës "shërim të shpejtë në rast se me të vërtetë është shëndeti arsyeja e mungesës së pazakonshme në publik".


"Apeli im është që jo vetëm si kryetar i qeverisë, por edhe si ideatori e nxitësi i vetëm i ndryshimeve të papranueshme në projektligjin për SHISH-in, ta tërheqë atë projekt jo thjesht nga seanca parlamentare, por njëherë e mirë.


Madje, ta hedhë në kosh për të mos e kthyer më për një herë të tretë, pasi e tërhoqi herën e parë nën presionin e partnerëve dhe duhet ta tërheqë përsëri sot në emër të interesit kombëtar, të përkatësisë ndaj NATO-s e sigurisht, edhe të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës", apeloi Edi Rama.


Sipas tij, edhe interesi i Shqipërisë, edhe interesi i NATO-s edhe interesi i Shteteve të Bashkuara cenohen drejtpërdrejtë nga prekja e këtij ligji për interesa të errëta.


Kryesocialisti theksoi se është e lehtë të kuptosh pse Sali Berisha e dëshiron kontrollin e shërbimit sekret kur është fjala për ç'ka ka të bëjë me ne këtu, në këtë vend të marrë peng e të zhytur në krizë të gjithanshme, për shkak të marrëzisë e të babëzisë së pushtetit të vjedhur të 28 qershorit.


"Por, është shumë e vështirë për ne të kuptojmë se çfarë forcash e shtyjnë Sali Berishën t'u bjerë ndesh me këto ndryshime edhe NATO-s edhe Shteteve të Bashkuara, që jo vetëm nuk i dëshirojnë ndryshimet e këtij projektligji, por ndjehen të cenuar në një interes të madh strategjik, pikërisht për shkak të pasojave të këtyre ndryshimeve", u shpreh Rama.


Në vijim të kundërshtimit të opozitës për ligjin e SHISH, lideri i socialistëve tha se "koha mbase do të na ndihmojë ta kuptojmë këtë shfaqje arrogance provinciale ndaj atyre pa të cilët jo vetëm vendi ynë i vogël, po as Europa e madhe nuk do ishte sot kjo që është".


Por, vijoi ai, Shqipëria nuk ka kohë për të vrarë, duke hyrë në qorrsokakun ku e kërcënon ta fusë Sali Berisha, duke kërkuar të fusë në sqetull edhe shërbimin sekret të këtij vendi të NATO-s, në kundërshtim me vullnetin e NATO-s e të atyre që u bënë avokati i madh i popullit shqiptar për hyrjen në NATO, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


"Sali Berisha tërhiqe njëherë e mirë këtë mollë sherri e fute nga e ke nxjerrë, sepse Shqipëria nuk ka sherr për të bërë as me NATO-n, as me Shtetet e Bashkuara dhe nëse një herë e fute Shqipërinë në qorrsokak, duke i hapur luftë Amerikës, këtë herë nuk do dalësh dot më nga qorrsokaku ku do mbetesh vetëm", përfundoi apelin e tij, Edi Rama.

Pas apelit të kryesocialistit, kryeparlamentarja siguron votimin e ligjit të SHISH

Topalli: Garantoj Ramën se ligji do të votohet


TIRANË - Pas apelit të kryesocialistit, i menjëhershëm ishte reagimi i nënkryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila shprehu vendosmërinë e mazhorancës për të kaluar ligjin e Shërbimit Informativ Shtetëror.


"Si kryetare e Kuvendit dua t'i them Edi Ramës se është shumë i vonuar me deklaratat e tij të para pak minutave, sepse Kryetarja e Kuvendit prej më se një ore i ka dhënë të gjitha mundësitë opozitës dhe i ka dhënë kohën për të shqyrtuar dhe për të parë projektligjin mbi SHISH-in", deklaroi Topalli. Krahas kësaj, ajo garantoi zotin Rama se "ligji do të kalohet".


Kryeparlamentarja theksoi se është ky parlament që në sajë të reformave ka bërë të mundur që ne të jemi krejt afër liberalizimit të vizave dhe është Edi Rama që në çdo sekondë, çdo ditë në Parlamentin Europian ka çuar njerëzit e tij për të punuar kundër liberalizimit të vizave.


"Është Partia Demokratike që qysh në vitin 1992 dhe 1993 me partneritetin me NATO-n, Aleancën e Atlantikut ka bërë të mundur që të fillojnë negociatat dhe të hyjnë në rrugën e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Pa dyshim hedh poshtë me neveri të gjitha diversionet e tij të pista dhe e garantoj se ligji do të votohet", paralajmëroi miratimin e ligjit të SHISH, kryetarja e Kuvendit.


Kreu i deputetëve socialistë, Gramoz Ruçi, sqaron vendimin në Kuvend
Grupi i PS: Topalli shkeli rregulloren

TIRANË - Me rikthimin e ligjit të Shërbimit Informativ Shtetëror në punimet e Kuvendit, Partia Socialiste kërkoi në seancën plenare ndërprerjen e punimeve për të mbledhur grupin parlamentar, ku u vendos për tërheqjen e ligjit nga rendi i ditës. Pas 30 minutash të mbledhjes së deputetëve socialistë, në ambientet e parlamentit, në emër të grupit, kryetari Gramoz Ruçi kërkoi hedhjen në votim të heqjes nga rendi i ditës i projektligjit.


Ai tha se deputetët socialistë janë të painformuar për futjen në kalendarin e punimeve. "Përfaqësuesit e mazhorancës na thanë se nuk do të kalojë projektligji në këtë seancë. Në emër të opozitës kërkoj të hiqet nga kalendari projektligji për SHISH-in", tha Ruçi.


Më tej, në përforcim të qëndrimit të tij, zyrtari i lartë socialist akuzoi kryetaren e Parlamentit për shkelje të rregullores dhe neglizhim të propozimit të opozitës, duke krijuar precedentë dhe shkelur liritë bazë.


Sipas tij, në orën 10:15 (dje) u vu në dispozicion relacioni i Komisionit përgjegjës që mban datën 16 mars, në një kohë që rregullorja e përcakton se duhet ta kishin në dorë dy ditë më parë. "Projektligji duhet të kalojë për diskutim në komisione, ku të jetë e pranishme dhe opozita", deklaroi kryetari i grupit Socialist.


"Konsultimi me NATO-n, nuk ka përfunduar. Ligji duhet bërë sipas direktivave të ndërkombëtarëve"

Meta: Të shtyhet votimi i ligjit të SHISH

Ndërsa debatohej në seancën e djeshme plenare për ligjin e Shërbimit Informativ Shtetëror, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, pohoi votën kundër ligjit dhe kërkoi shtyrjen e tij.


Në fjalën e mbajtur në foltoren e Kuvendit, Meta tha se konsultimet me NATO-n për këtë projektligj nuk kanë përfunduar dhe votimi i tij është i nxituar edhe për një arsye tjetër, atë të dhënies së qëndrimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën.


"Ky është një projektligj shumë i rëndësishëm, sikurse shumë të rëndësishme janë marrëdhëniet e Shqipërisë me NATO-n. Ne jemi anëtarë të Aleancës dhe çdo rishikim i këtij ligji, qoftë dhe një presje, duhet bërë në konsultim të ngushtë me NATO-n", deklaroi zëvendëskryeministri.


Ai tha se "në dijeninë e tij deri tani ky konsultim i ngushtë nuk ka përfunduar, kështu që do të ishte e panevojshme që kjo çështje të diskutohet. "Së dyti, të mos harrojmë se kjo është një ditë që gjithë bota, dhe gjithë partnerët i kanë sytë tek vendimi që do të japë GJND, e cila do të risjellë në vëmendje të gjithë botës dhe njëherë tjetër çështjen e Kosovës, ndaj mendoj që diskutimi i këtij projektligji sot është i nxituar", u shpreh lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›