E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza politike, pyetje shtesë nga Brukseli

Ekspertët e Bashkimit Europian vijnë në Tiranë, shpjegime për komisionin hetimor

Një delegacion nga Komisioni Europian ka mbërritur në Tiranë për të parë nga afër “detyrat e shtëpisë” së qeverisë shqiptare në lidhje me statusin e vendit kandidat. Dërgata e Brukselit ka sjellë dy ditë më parë një grup shtesë pyetjesh për qeverinë shqiptare, të cilat kapin 700 çështje të rëndësishme, ku më kryesoret shihen ato që prekin kriterin politik. Siç mësohet, disa nga pjesët kyçe të kërkesave të dërguara për sqarim nga Komisioni Europian janë përgjigjja e detajuar e pyetjeve mbi komisionet parlamentare hetimore dhe procedura e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë. Pikërisht në kulmin e krizës politike dhe kur një protestë dramatike po zhvillohet që prej tri javësh në qendër të Tiranës, Brukseli i ka kërkuar qeverisë shqiptare një shpjegim shtesë për krizën politike. Sinjal i qartë ky që tregon se opinioni që do të përgatisë Komisioni Europian për t’ia dërguar për miratim Këshillit të Ministrave do të ketë bërthamë të tijin pikërisht krizën politike dhe menaxhimin e zgjidhjes së saj. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka konfirmuar ardhjen e pyetjeve shtesë nga Brukseli. Bregu, në një dalje në publik, ka theksuar se Komisioni nuk ka kthyer pyetje, por vetëm ka bërë shtesa, siç ka ndodhur me Malin e Zi, por edhe me vende të tjera. Ministrja e Integrimit ka theksuar se “në total ne kemi identifikuar deri tani jo më shumë se 170 pyetje të reja, të cilat s’mund të quhen shtesë, pasi duke iu referuar kohës në të cilën pyetësori është dorëzuar e deri tani, ka pasur zhvillime të tjera, për të cilat KE kërkon tani përgjigje. P.sh. ka pyetje të cilën e kemi numëruar si të re, që i përket vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për objektin e hetimit të komisioneve hetimore parlamentare”. Sigurisht, tha ajo, që debatet politike gjatë këtyre muajve kanë bërë që Komisioni të kërkojë edhe këtë lloj informacioni. “Një tjetër pyetje e re ka të bëjë me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, i cili është një vendim, apo le të themi emërim i bërë nga Presidenti vetëm së fundmi. Sikurse ka kërkesa, që ne i cilësojmë si sqaruese, për të dërguar Kodin Penal shqiptar në gjuhën angleze”, nënvizoi ministrja. Përveç çështjeve të kriterit politik, pyetjet shtesë të Komisionit Europian kanë të bëjnë edhe me fenomenin e shumësulmuar të korrupsionit. Jo më kot është kërkuar informacion për ndarjen e detyrimeve ndërmjet Agjencisë së Prokurimit Publik dhe komisionerit për ankesat. Kjo është bërë për të kuptuar më mirë instancat ligjore të zhvillimit të tenderëve që shpërndajnë përdorimin e fondeve publike. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, pranoi se “gjatë këtyre ditëve, paralel me mbërritjen e pyetjeve dhe sqarimet nga Komisioni Europian, kanë mbërritur në Shqipëri dhe misionet e vëzhgimit, të cilat po shohin në terren dhe po marrin informacion për të plotësuar mendimin e tyre, para se të bëjnë ‘avis communitaire’, siç quhet opinioni i Brukselit”. Këto komisione, u shpreh ajo, në një kalendar ende të papërfunduar krejtësisht nga KE, do të vazhdojnë edhe në muajin qershor. Qeveria shqiptare pritet që t’i përfundojë përgjigjet e pyetjeve shtesë deri më datën 10 qershor, proces që shtyn edhe më shumë avancimin e dhënies së opinionit të vendit kandidat. Kjo, sipas të gjitha gjasave, nuk do të jepet brenda Presidencës spanjolle. Madje burime nga Brukseli bënë të ditur se ky proces mund të zgjasë edhe dy vjet.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›