E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët demokratë ankohen për taksat e makinave

Komisioni i Ekonomisë miraton projektligjin “Për taksat kombëtare”

Ashtu siç parashikohej, Komisioni i Ekonomisë miraton formulën e re të llogaritjes për detyrimin që duhet të paguajnë individët për makinat e përdoruara të importuara. Ndryshimet janë përcaktuar në projektligjin “Për taksat kombëtare”, që vendoste edhe kritere të tjera sa i takon rentës minerare, taksës së karbonit etj. Në parim, deputetët demokratë në komision e miratuan projektligjin, por nga ana tjetër nuk i rezervuan kritikat sa i takon masës së gjobës dhe mënyrës së vjeljes. “Nuk e kuptoj formulën dhe si do paguhet taksa. Pse nuk është vendosur një normë fikse që duhet ta paguajnë drejtuesit e mjeteve, por i lihet sërish doganës. Me sa kam parë, ne paguajmë më shumë taksa për makinat sesa vendet e tjera të BE-së”, tha deputeti Sherefedin Shehu. Një tjetër anëtar i Komisionit të Ekonomisë, Flamur Noka, tha se “nuk është e drejtë që të jetë një taksë e njëjtë për regjistrimin e makinave dhe për cilindratën e motorit. Të vendoset një matës për djegien e karbonit në mënyrë që të paguhet taksë për aq sa ndot ambientin”. Kurse deputeti i Qarkut të Durrësit, Igli Cara, mori si shembull disa mjete transporti që përdoren në ndërtim, të cilat nuk kanë cilindrat dhe se në projektligj nuk sqarohet mirë nëse do e paguajnë. Debati për taksën e re të importit të makinave vijoi rreth një orë, ndërsa në disa raste u desh ndërhyrja e ish-zëvendësministrit të Financave, Florion Mima, që të sqaronte kolegët për ndryshimet. “Taksë mjedisi do të paguhet edhe kur makina të shitet brenda vendit, por në rast se i është paguar dogana, do t’i bëhet zbritje, duke i lënë të paguhen koeficientet e vjetërsisë”, tha Mima.

Sipas drejtoreshës së politikave fiskale në Ministri të Financave, Arjana Dyrmishi, është dashur tre vjet negociata me zyrtarët e Bashkimit Europian, në mënyrë që të arrihet marrëveshja me formulën e re, që komisioni e miratoi dje. “Duke qenë se nuk i kemi kapacitet për të vendosur matës për emetimin e karbonit në çdo mjet transporti, jemi të detyruar të zbatojmë formulën, që si detyrim është i përballueshëm për konsumatorin”, tha Dyrmishi. Nga llogaritjet për taksën e ndotjes të kryera nga “Shqip” rezulton se për makinat me moshë mbi 7 vjet, do të paguhen 22 mijë lekë më shumë taksa. Por skema e re ligjore sjell edhe taksimin më të lartë të makinave të vjetra që shiten brenda vendit. Kështu, nëse një makinë shtatëvjeçare me motor 1.9 naftë, importohet sot dhe paguan në çastin e importit taksë ndotjeje në masën 173 mijë lekë, kur të rishitet pas tre vjetësh në tregun e brendshëm do të paguajë një taksë ekstra prej 74 mijë lekësh. E njëjta gjë ndodh në rast se e njëjta makinë është importuar para tre vjetësh, ka moshë 7-vjeçare dhe shitet brenda vendit.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›