E Shtunë, 31 Tetor 2026

I riu me HIV, diagnostikohet tek onkologjiku

Marioli duhet të presë ardhjen e medikamenteve. Ai dhe i ati flenë në hotel, sa të lirohet një shtrat në pavijon

Në Spitalin Onkologjik ka gjithnjë shumë njerëz. Në katin e parë, ku bëhen edhe ekzaminimet, para dyerve qëndrojnë gjithnjë dhjetëra qytetarë. Disa të ulur dhe të tjerë para dyerve të mjekëve, apo dhe farmacisë së pavijonit, ata presin me orë të tëra të kryejnë punë. Të tjerë pacientë qëndrojnë në katin e tretë, në pritje të firmosje së recetave nga mjekët për t’i marrë falas medikamentet citostatike, shumë të kushtueshëm, në farmacinë e spitalit. Por jo gjithnjë mund t’i gjejnë, pasi jo më larg se dje disa prej pacientëve iu thanë se barnat që ata kërkonin nuk ishin gjendje dhe pritej të vinte furnizimi. Madje një nga bluzat e bardha nuk ka nguruar t’i thotë një qytetari se medikamentet e recetës së tij duhet t’i merrte në farmacitë jashtë spitalit. Në katin e tretë, në pavijonin e të sëmurëve me kancer, përballë derës që mban shënimin “dhoma e mjekëve”, mes të tjerëve shqova një burrë me moshë, pamja e lodhur e të cilit më la të kuptoj se kishte ardhur nga larg. Ishte rreth të shtatëdhjetave, dukej se, ashtu si edhe të tjerët, aty e kishte sjellë halli. Në dorë mbante një çantë ku kishte pak ushqim, që ia kishte dhënë me vete familja, dhe disa rroba të të birit të sëmurë. “Këtu jam për të shoqëruar djalin”, tha menjëherë sapo e pyeta, duke bërë shenjë për të më treguar se i biri ishte i riu që qëndronte bri dhomës së mjekëve me recetë në dorë për të marrë një firmë për të tërhequr ilaçet në farmacinë e pavijonit.

Biseda me të sëmurin me HIV

Marioli është rreth të 25-ve. U tregova i saktë në përcaktimin e moshës së tij, kur më la që t’i përgjigjesha vetë pyetjes që i bëra. Më bëri përshtypje fakti që ai e dinte shumë mirë diagnozën, por asnjëherë nuk e përmendi faktin se ishte i sëmurë me HIV. E kishin instruktuar mirë mjekët. Kur e pyeta se çfarë ndiente, më tha disa gjëra për dobësinë e tij fizike, dhimbjen e muskujve, aq sa nuk mbante dot as pesha minimale, dhe shpeshtinë e të vjellave gjatë rrugës së gjatë për të ardhur në Tiranë. Kishte më shumë se gjashtë muaj që luftonte me sëmundjen. Më tregoi se kishte dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, që jetonin në një fshat jo më larg se 6 kilometra nga qyteti në juglindje të Shqipërisë. Atë dhe të atin i ftova të pinim një kafe në lokalin e onkologjikut. Aty më tregoi për peripecitë e sëmundjes. Ishte i pakënaqur nga mjekja e fshatit, pasi sipas tij ajo e kishte mbajtur gjatë në mjekim, por pa gjetur diagnozën. Kishte ndenjur për disa kohë edhe në spitalin e Korçës, nga atje mjekët kishin vendosur ta nisnin drejt Tiranës. Marioli nuk e mohonte faktin se për disa vizita kishte paguar para. “Deri tani kam shpenzuar 200 mijë lekë”, deklaroi 25-vjeçari, i cili duket se i kishte llogaritur mirë shpenzimet e tij. Duke folur për peripecitë e sëmundjes, ai tha se nuk e dinte pse e kishin shtruar në pavijonin e Reumatologjisë, pasi nuk kishte vuajtur nga ndonjë sëmundje reumatizmale. Nga atje e nisën për në Spitalin Onkologjik. Aty kishte filluar të ndihej më mirë, pasi kurat e përdorura ishin efektive, edhe pse, sipas tij, tejet të forta për organizmin. Nuk ua mbante mend emrin medikamenteve që merrte, por dinte që njëri ishte i kuq dhe para se të merrte atë, i injektoheshin disa të tjerë për të ruajtur organet jetësore.

S’ka vend në spital

I ati është një burrë i urtë dhe i vuajtur. Duke parë se po interesohesha për Mariolin, menjëherë sapo ai u ngrit për të pyetur se çdo të bëhej me të, nuk nguroi të më thoshte se i biri kishte rezultuar me HIV. Sipas të moshuarit që e shoqëronte gjithandej, i biri dinte gjithçka për sëmundjen se ajo shënohej në kartelë me germa të mëdha, por nuk e jepte veten. “I thanë për t’u shtruar, pasi do të bëjë disa ekzaminime të tjera me rekomandimin e mjekut”, shprehet ai. I moshuari sapo më kishte dhënë një lajm të trishtuar, se mjekët kërkonin ngutshëm që e shoqja dhe fëmijët e Mariolit të bënin analizat e gjakut për të parë nëse ishin apo jo të infektuar. Këtu e ndërpremë bisedën, pasi pamë Mariolin të vinte. Djali mbante kapele për të mos iu dukur floku i rënë, por kjo dallohej sapo i hidhje një vështrim.

Dukej që ishte i mërzitur, pasi mjekja dhe infermierja i kishin thënë se nuk kishte asnjë shtrat të lirë në pavijonin ku duhej të shtrohej. Babë e bir nuk kishin asnjë të afërm në Tiranë, ndaj duhet të shkonin për të fjetur në hotel. Kjo u kishte ndodhur edhe herë të tjera. Sot ata do të shkojnë sërish në spital dhe do të jenë me fat nëse nuk do të përsëritet e njëjta situatë, pasi do t’u duhet të shpenzojnë hoteleve.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›