E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama takon aleatët: Kutitë në tryezën e bisedimeve

Aleatët janë dakord që duhet hapur çdo kuti që dyshohet. Negociatat shihen të vështira

TIRANË - Kreu socialist, Edi Rama, para se të ulet në tryezën e bisedimeve në Presidencë, ka marrë edhe bekimin e aleatëve të vet të majtë dhe të djathtë për qëndrimin që do të mbajë në të. Në një takim të mbajtur dje për rreth 1 orë dhe ku merrnin pjesë aleatët Paskal Milo, Engjell Bejtja, Spartak Ngjela, Nard Ndoka dhe Erion Veliaj, kreu socialist nuk e ka pasur aspak të vështirë që të bjerë në një mendje me ta se në bisedimet tek Presidenti duhet të shkohet vetëm me kërkesën e hapjes së kutive të votimit, si një kusht i panegociueshëm. Kështu, kreu socialist, pasi i ka njohur aleatët e vet për rezultatet e takimeve që ai zhvilloi gjatë mesjavës në Strasburg, ka pranuar që të konsultohet me ta edhe për takimin, që do të zhvillojë ai me kryeministrin Berisha sot në Presidencë. Mësohet se ata kanë qenë thuajse në një mendim që gjatë bisedimeve me demokratët të mos lëshohet pe nga qëndrimet që ka mbajtur opozita gjatë gjithë këtyre muajve, por në të kërkohet me ngulm hapja e kutive të votimit, si e vetmja mundësi për të bërë transparencën e zgjedhjeve të shkuara parlamentare. Në fund të këtij takimi, kryetarët e partive aleate janë shprehur të një qëndrimi, se pa hapjen e kutive të votimit, nuk mund të ketë hetim të zgjedhjeve dhe transparencë në sytë e shqiptarëve. "Kërkesa për kutitë është e panegociueshme dhe është fillimi i një hetimi. Ka disa njerëz që kanë pyetur me të drejtë, nëse ne duam të numërojmë çdo kuti. Për të gjitha për ne është: Kjo s'është lotari. Lotaria e fundit që u bë me rastësi për kompensimin e pronave zgjodhi Kryetaren e Kuvendit si fituesen e parë dhe të vetme. Nuk themi që duhet të hapet çdo kuti, ama duhet të hapen parimisht kutitë, çdo kuti që dyshohet", - tha kreu i G99 pas këtij takimi. Ndërsa më i sinqertë në vlerësimin e tij për tryezën e nesërme ka qenë kryetari i PDS-së, Paskal Milo, i cili ka pranuar se bisedimet nuk do të jenë aspak të lehta. "Nuk do të jetë e lehtë nesër që të ketë një fillim të mbarë, nëse mazhoranca do shkojë me mendimin e vjetër që kutitë i ka në dorë ajo, por t'i drejtohet gjykatës. Nëse do të ndodhë kjo, Shqipëria rrezikon të rrëshqasë në krizë. Kjo do të sjellë në rrjedhë logjike, zgjedhjet e parakohshme. Opozita është shumë e vendosur, nuk ka asnjë mëdyshje për të ecur përpara deri në realizimin e asaj kërkese legjitimi që ka bërë. Nëse mazhoranca do të parashtrojë opsionin e zgjedhjeve të parakohshme, atëherë opozita do të reflektojë për më tej", - tha Milo. Në takim kanë qenë edhe parti të djathta, drejtuesit e të cilëve kanë deklaruar për mediat se ka dyshime të forta se zgjedhjet e 28 qershorit u manipuluan, prandaj dhe në këtë tryezë nuk duhet të hiqet dorë kurrsesi nga kërkesa për hapjen e kutive dhe bërjen e transparencës. "Të gjithë palët janë të mendimit që nuk mund të hiqet dorë nga hapja e kutive. Ne e konsiderojmë hapjen e kutive një përbërës kryesor të demokracisë shqiptare", - u shpreh kreu i PLD-së, Spartak Ngjela. Ndërkohë, mësohet se gjatë tryezës, kreu socialist i ka bërë të ditur aleatëve të vet, se nuk parapëlqente negociata të tejzgjatura.
Kreu i PS-së, takime edhe me sekretariatin e selisë rozë

Kriza, Rama takim me ambasadorët

TIRANË - Ka qenë një javë e ngarkuar kjo për kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili ka vijuar një sërë takimesh, qoftë me bashkëpunëtorët dhe aleatët e vet, ashtu edhe me faktorin ndërkombëtar, brenda dhe jashtë vendit. Menjëherë, pasi u kthye nga Strasburgu, ku zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të këtij organizimi, duke gjetur në pjesën më të madhe mbështetje për qëndrimin që ka mbajtur opozita, Rama ka zhvilluar dje disa takime të tjera në Tiranë. Fillimisht, ai është takuar me ambasadorin e Spanjës në Tiranë, vendi i të cilit ka dhe presidencën e radhës së Komisionit Europian, i cili shoqërohej gjithashtu edhe nga përfaqësuesi i institucionit në vendin tonë Helmut Lohan. Më pas, në mesditë Rama ka zhvilluar një takim të ngjashëm edhe me përfaqësuesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Xhon Uidhers, me të cilin ka biseduar për më shumë se 1 orë. Pavarësisht se protagonistët e këtyre takimeve nuk kanë dhënë asnjë detaj mbi atë që është biseduar, burime pranë tyre kanë konfirmuar se biseda është përqendruar fillimisht mbi një informim mbi takimet që kishte zhvilluar Rama në Strasburg dhe me pas rreth detajeve të tryezës, që pritet të mbahet sot në Presidencë. Gjithashtu, gjatë ditës së djeshme Rama ka zhvilluar dhe një sërë takimesh me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë në parti, ku dhe ka konsultuar qëndrimet që do të mbajë në tryezën e sotme. Fillimisht, ai ka zhvilluar një takim me sekretariatin e partisë, Fatmir Xhafajn, Arta Daden, Blendi Klosin etj., dhe më pas gjatë pasdites ka biseduar dhe me një grup deputetësh, të cilët janë marrë me përpunimin juridik të kërkesës së socialistëve për hapjen e kutive. Në mbrëmje, Rama ka mbledhur sërish sekretariatin, ku ka përmbyllur modalitetet e takimit të sotëm.

Ndërkombëtarët apelojnë një ditë para tryezës. Ata kërkojnë që liderët politikë duhet të zgjidhin situatën politike përmes dialogut

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›