E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza prek fitimet e kompanive dhe familjeve

Statistikat e qeverisë, këtë vit u ul pagesa e tatim-fitimit dhe tatimit të të ardhurave

Të ardhurat e qeverisë nga tatimi mbi fitimin dhe nga tatimi mbi të ardhurat personale pësuan rënie në krahasim me një vit më parë gjatë periudhës janar-prill të këtij viti, duke dëshmuar për vështirësitë e përgjithshme ekonomike të vendit. Sipas statistikave të bilancit të qeverisë të publikuara disa ditë më parë, pagesa e tatim-fitimit ra me 5.54 për qind gjatë këtij viti, ndërsa pagesa e tatimit mbi të ardhurat personale ra me 3.97 për qind. Fitimet e kompanive rezultojnë kështu në rënie për dy vite radhazi.

Gjatë 4-mujorit, Ministria e Financave arkëtoi 6.35 miliardë lekë nga tatimi mbi fitimin, shifër kjo 4 për qind më e ulët se e njëjta periudhë e vitit 2009, kur presupozohet se u përjetua një nga fazat më të rënda të krizës aktuale botërore. Të ardhurat e qeverisë nga tatimi mbi fitimin patën pësuar rënie edhe gjatë vitit 2009 në krahasim me vitin 2008. Rënia është edhe më e fortë te tatimi mbi të ardhurat personale. Qeveria arkëtoi 8.3 miliardë lekë, (rreth 80 milionë dollarë), ose rreth 10 milionë dollarë më pak nga planifikimi. Rënia e arkëtimeve të qeverisë nga kjo taksë ka ardhur si pasojë e rritjes së papunësisë në vend dhe ftohjes së pagave në sektorin privat. Duke marrë parasysh se arkëtimet e qeverisë nga kjo taksë statistikisht janë ndihmuar edhe nga rritja e pagave dhe pensioneve në sektorin publik, rënia reale e përjetuar nga të punësuarit jashtë administratës duket se është edhe më e madhe. Arkëtimet e qeverisë nga tatimi mbi të ardhurat personale janë një tregues i drejtpërdrejtë i mirëqenies së përgjithshme të asaj pjese të shqiptarëve që punojnë në sektorin jobujqësor të ekonomisë. Në vendin tonë ka 400 mijë vetë që janë punësuar në sektorin privat apo në administratën publike dhe që marrin një pagë mujore. Kur qeveria arkëton më pak tatim mbi të ardhurat, atëherë kjo do të thotë se edhe të ardhurat e përgjithshme të kësaj pjese të shoqërisë kanë pësuar rënie.

Flluska Rrëshen-Kalimash

Një nga shkaqet e rënies së të ardhurave nga të dyja taksat është edhe mbyllja e kantierit të ndërtimit në rrugën Rrëshen-Kalimash. Rruga solli gjatë vitit të kaluar rritje artificiale të të ardhurave të qeverisë në të katër anët, por edhe në tatimin mbi fitimin, pasi konsorciumi Bechtel-Enka fitoi rreth 100 milionë dollarë neto dhe pagoi tatim-fitimi mbi këto të ardhura. Nga ana tjetër, projekti solli punësimin e përkohshëm të rreth 2 mijë shqiptarëve, gjë që shtoi gjithashtu artificialisht të ardhurat tatimore, pavarësisht se paratë dolën nga një xhep i buxhetit të shtetit për të hyrë në xhepin tjetër. Problemi është se qeveria nuk e mori parasysh se përfundimi i rrugës do të sillte edhe ftohje të të ardhurave buxhetore. Tani Ministria e Financave pritet të përballet sërish me deficit të rritjes.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›