Shkarkohet zv.drejtuesi i Prokurorisë së Durrësit
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka shkarkuar dje nga detyra zv.drejtuesin e Prokurorisë së Durrësit, Drini Pali. Propozimi për shkarkim është realizuar nga kryeprokurorja Ina Rama, menjëherë sapo u njoh me votimin e këshillit të akuzës qendrore, i cili kishte votuar 7 me 0 në favor të shkarkimit. Masa ekstreme e shkarkimit ka ardhur nga një inspektim në Prokurorinë e Durrësit, ku janë gjetur shkelje të rënda gjatë punës së prokurorit Pali. Krahas këtij prokurori, janë proceduar për masë disiplinore edhe katër prokurorë të tjerë, ndërsa i vetmi që i ka shpëtuar ndjekjes disiplinore është ish-drejtuesi Arjan Ndoja, i cili pak kohë më parë dha dorëheqjen. Në lidhje me masën e shkarkimit të Palit, burime nga akuza qendrore deklarojnë se “në përfundim të kontrollit në Prokurorinë e Durrësit janë konstatuar të meta të theksuara në funksionimin e kësaj prokurorie”. Prokuroria vijon se këto shkelje rezultojnë se kanë ardhur si rrjedhojë direkte e një menaxhimi të dobët nga stafi drejtues i kësaj prokurorie. Mbi bazën e këtij kontrolli, Ina Rama shkarkoi Arjan Ndojën, titullarin e prokurorisë dhe zv.drejtuesit e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Mësohet se, krahas punës së Palit si drejtues, janë konstatuar shkelje edhe në dosje konkrete, ku nuk përputhet momenti i pushimit të dosjeve penale apo i dërgimit të tyre në gjykatë. Anëtarët e Këshillit të Prokurorisë, të cilët kanë votuar në unanimitet për shkarkimin e Drini Palit deklarojnë se ky prokuror “ka qenë në autobus”.
#