E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza shton përdoruesit e drogës, çifte emigrantësh kërkojnë terapi

largea_droga1367324438Numri i përdoruesve të drogës është rritur. Në total sipas statistikave të Institutit të Shëndetit Publik në vendin tonë numërohen rreth 60 mijë përdorues droge, ndërkohë që shumë pak prej tyre marrin terapi për të hequr dorë prej saj. Në Qendrën Aksion Plus, në Tiranë janë 200 përdorues droge të të gjitha moshave që trajtohen çdo ditë në terapinë me metadon, për të ulur varësinë nga droga. Paralelisht qendra funksionon edhe në qytete të tjera si Vlorë, Durrës, Korçë apo Elbasan, por numri i personave që trajtohen aty, edhe për shkak të mentalitetit është më i ulët se në Tiranë.

Terapia drejt fundit

Genc Muçollari drejtor i Qendrës Aksion Plus në Tiranë, thotë se numri sa vjen e rritet. Deri tani ne e kemi përballuar fluksin e kërkesave me metadon, por nuk dimë se si do të vijohet në të ardhmen, pasi terapia me metadon është e siguruara deri në mars të 2014-ës, ndërsa më pas mbarojnë rezervat. Deri tani e kemi siguruar metadonin falë financimeve të Fondit Global kundër HIV/AIDS, por më tej duhet që qeveria e re të na mbështesë dhe të krijojë një fond të veçantë për të siguruar metadonin për përdoruesit e drogës në vendin tonë. Madje masat duhet të merren qysh tani nga Ministria e Financave dhe ajo e Shëndetësisë, tha Muçollari.

Çiftet e emigrantëve

Ndërkohë sipas tij nuk ka moshë fikse apo një nivel të caktuar social për përdoruesit e drogës. Ata i gjen nga më të rinjtë, 14 vjeç e deri tek të rriturit 35 vjeç, apo 40 e më shumë. Beqarë, të martuar, me fëmijë, nga të gjitha statuset, madje kohët e fundit Genc Muçollari tregon se ka pasur raste që në qendër janë paraqitur edhe çifte të martuarish, bashkëshortë emigrantë, të varur nga droga, dhe që kërkojnë të heqin dorë duke u trajtuar me terapinë falas. Pas kthimit nga emigrimi, nga kriza ekonomike dhe papunësia gjendja e shumë prej këtyre çifteve është rënduar, aq sa kanë nisur të përdorin drogën. Por ka edhe shumë të huaj që vijnë në qendrën tonë. Ndonëse u rastis të jenë në Shqipëri për pak kohë, për pushime apo për punë, ata nuk duan të ndërpresin terapinë e nisur në vendin prej nga vijnë, por e vazhdojnë edhe këtu në Shqipëri, tregon më tej Muçollari.

Përdoruesit e drogës

Shumica e përdoruesve që vijnë në     qendër e kanë vënë në dijeni edhe familjen për situatën në të cilën ndodhen, (ky është edhe një lloj kushti i pa detyruar edhe nga vetë Qendra Aksion Plus), pasi familja është një ndihmë dhe mbështetje e madhe për të hequr dorë nga droga. Por sigurisht që ka edhe të tjerë të cilët vijnë fshehurazi të afërmve në qendër dhe kërkojnë të marrin terapi. Metadoni duket se është e vetmja rrugëzgjidhje për tu shkëputur nga droga, por nëse qeveria e re nuk ndërhyn për të siguruara sasi të mjaftueshme të këtij medikamenti, situata e narkomanëve shqiptarë do të kthehet në një problem madhor. Në lidhje me këtë çështje, vetë të droguarit kur i pyet, shprehen se ky ilaç është shumë jetik për ta, njëlloj si një diabetik ka nevojë për insulinë. Ata tregojnë se nëse nuk marrin metadon gjendja e tyre fizike dhe mendore mund të përkeqësohet, duke u bërë edhe burim konfliktesh në shoqëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›