Modeli i kryetarit të komunës Dajt duhet përgjithësuar
Nga Fejzo Subashi
Vota plebishitare e popullit tonë në zgjedhjet e 23 Qershorit, ishte votë që kishte jo vetëm një qëllim por dhe një arsye të madhe, ku mbi të gjitha arriti të ndëshkonte arrogancën e pushtetit dhe pushtetarëve, duke filluar nga punonjësi apo administratori qeveritar më i thjeshtë dhe deri tek ministri.
Por, kjo arrogancë e pushtetit dhe pushtetarëve nuk besoj se u zhduk, as mund të zhduket thjesht me rotacionin e pushtetit qendror, sado i thellë qoftë rezultati, pasi ai është një sëmundje, ku virusi i saj ka shtrirë metastazat në të gjitha nivelet e pushtetit dhe pushtetarëve. Arroganca e pushtetit nuk ishte dhe nuk është vetëm pjesë e pushtetit dhe pushtetarëve qendror, ajo ekziston dhe vazhdon të jetë edhe në të zgjedhurit e pushtetit vendor si në mjaft kryetarë bashkie dhe komunash, të cilët janë bërë më pashallarë se vetë pashai. Nuk e kam fare fjalën për përfitimet apo benefitet që përfitojnë, por e kam kryesisht me minimumin që duhet të bëjnë, të presin e tu zgjidhin hallet qytetarëve e hallexhinjve, pasi janë votuar prej popullit dhe duhet ti shërbejnë atij. Ata, duhet ta kuptojnë qartë e prerazi, se janë shërbëtorë të popullit, janë votuar për të qeverisur, menaxhuar dhe për tu dhënë mesa mundin zgjidhje halleve dhe shqetësimeve të komunitetit. Më është dashur të kontaktoj me mjaft të zgjedhur vendor në të katër anët e vendit dhe natyrisht, që ka nga ata që mundohen, angazhohen, por për një mijë e një arsye, nuk arrijnë atë që ata duan të bëjnë dhe komuniteti ka nevojë. Por, ka shumë të zgjedhur vendor, që jo vetëm lënë për të dëshiruar, jo vetëm që nuk angazhohen me zgjidhjet dhe shqetësimet e komunitetit, jo e jo me dhënien e hapësirave dhe mundësive të këtyre zonave, por shpesh bëhen edhe pengesa me paaftësinë, mefshtësinë e arrogancën e tyre. Shumë prej tyre e shikojnë këtë karrige të përhershme e të pavdekshme për ta, si dhe veten e tyre e vlerësojnë si të pazëvendësueshëm, duke bërë diferencim në komunitet jo vetëm me përzgjedhjen e stafeve të tyre, në të cilët aderojnë militantë partie apo soj e sorollop farefisnor… Janë vërtetë shqetësuese faktet, kur mjaft familje dhe njerëz në nevojë, nuk merren në punë, pasi kryetari e i plotfuqishmi shkon e merr për të punësuar, njerëz jo nga qyteti apo rrethi pranë, por edhe nga kryeqyteti… Përgjigjet e këtyre lloj kryetarëve, janë më shumë cinike dhe skeptike, sesa bindëse dhe reale, duke u justifikuar përballë komunitetit që i votoi se: S’kemi fonde e s’na jep Qeveria. Këta lloj drejtuesish, nuk angazhohen me zgjidhjen e halleve të komunitetit, por me djallëzira dhe makinacione, merren më shumë me gjetjen e hapësirave dhe abuzimeve, për të përgatitur terrenin për rikandidimin e radhës.
Kjo tablo që paraqita më lart, është reale dhe e vërtetë, prezente dhe e ulur këmbëkryq në pushtetin vendor në Shqipëri, ku dje ishte edhe në pushtetin qendror, e të cilën shpresojmë të mos jetë më në qeverisjen e re.
Por, pas kësaj tabloje, do të doja ti përballja një tablo tjetër reale të prekshme, të një drejtuesi vendor dhe jo larg apo në një cep të Shqipërisë, por mu në zemër të kryeqytetit, drejtuesin e komunës Dajt z. Kujtim Qefalia. Më ka bërë përshtypje, sa vërtetë mendova ta bëj prezent sjelljen, qëndrimin, veprimin, komunikimin, angazhimin, bashkëpunimin, përkushtimin si dhe metodën për zgjidhjen e halleve dhe shqetësimeve të komunitetit. Shqetësime këto, që për hir të së vërtetës, janë aq të mëdha e të shpeshta, ndoshta aq sa vetë Bashkia e Tiranës. Angazhimi i tij në zgjidhjen e shqetësimeve të komunitetit është pa diferencime. E them këtë, pasi kjo komunë ka realisht më shumë banorë sesa ata që janë pjesë e listave të regjistruar në gjendjen civile të kësaj komune, apo disa herë më shumë sesa votuesit e kësaj zone. Personalisht, pashë nga afër atë që realisht e dëshirojmë tek njerëzit që na kërkojnë votat, për të na menaxhuar apo qeverisur në të gjithë kapilarët e këtij vendi, tek ata, të cilët në fund të fundit s’kanë asgjë të tyren apo personale, por përfitojnë të ardhura nga taksat që ne paguajmë.
Pashë me sytë e mi, atë që realisht dëshiron vota e rëndësishme e popullit tonë e hedhur jo vetëm në 23 Qershor, por në çdo moment kur qytetari shkon në zgjedhje. Nuk mund të kontestoj apo të hedh poshtë me një të rënë të lapsit, apo thjesht më një shkrim në mënyrë absolute ndonjë ose çdo pakënaqësi, apo ndonjë mendim ndryshe në lidhje me menaxhimin apo drejtimin e z. Kujtim Qefalia në Komunën Dajt. Nëse, realisht do mendoja dhe do e trajtoja kështu, jo që sdo isha i sinqertë me vetveten, por do e zbehja shumë imazhin, performancën e staturën e Z. Qefalia, si kreu i kësaj komune. Personalisht, nuk mund të them se: Ai ka bërë më të mirën e mundshme dhe tashmë kjo komunë s’ka më as edhe një hall apo problem, e duke i thënë lexuesit dhe aq më keq banorëve e votuesve të kësaj komune, se gjërat këtu shkojnë vaj. Realisht, Komuna Dajt ka aq shqetësime dhe probleme, të tilla që, zgjidhja e tyre nuk varet vetëm nga Komuna apo Kujtim Qefalia, pasi i kalojnë jo vetëm kompetencat por edhe mundësitë financiare. Shqetësime dhe probleme, të cilat nuk janë dhe nuk sjellin pasoja vetëm për komunitetin e kësaj komune, por për çdo qytetar që jeton apo vjen në Tiranë, qoftë shqiptar apo i huaj. Për zgjidhjen e këtyre problemeve nuk mjafton vetëm përkushtimi, vëmendja dhe dëshira e mirë e kreut të komunës Dajt, por dhe e Qeverisë qendrore, e Kryeministrit veçanërisht, dhe deri tek kreu i shtetit, tek të cilët të mos mjaftohemi vetëm me prerje shiritash kur ftohen për përurime nga Kujtim Qefalia, pasi kjo komunë ka të bëjë drejtë përsëdrejti me imazhin e Tiranës dhe të Shqipërisë.
Vëmendja dhe shkrimi im, kësaj radhe ska qëllim trajtimin e problemeve, pasi këto fenomene jo se nuk janë prekur nga media, por dua të prezantoj vërtet një model, një shembull, një sjellje dhe veprim të një të zgjedhuri, të një drejtuesi të pushtetit vendor, me qytetarët dhe hallet e tyre. Një model, që e ka emrin: Modeli i Kryetarit të Komunës Dajt. Për këtë model, jo vetëm kemi nevojë, por është minimumi i detyrimit të çdo nëpunësi, e çdo të zgjedhuri. Modeli i tij si drejtues, si menaxher, si kreu i një komuniteti, është më të vërtetë për tu admiruar, për tu vlerësuar e përgjithësuar. Por, mbi të gjitha, për ti thënë çdo zyrtari, qeveritari, drejtuesi kudo qoftë, se: Ja se si mund të presësh, si mund të mbash një kontakt me atë që të voton dhe me atë që i detyrohesh; Ja se si mund të zgjidhet, apo të gjendet zgjidhja e një shqetësimi apo problemi, nëse realisht ke dëshirën, impenjimin, apo përkushtimin, për të bërë detyrën e për të vlerësuar atë që të ka besuar, apo për të përfituar edhe atë që s’të ka besuar ty në atë post Nëse vërtetë mendon për punën apo për detyrën që bën, pasi për ato paguhesh dhe lekët që merr janë djersa e gjaku i tyre.
Nuk kishte sjellje arrogante tek asnjë punonjës i administratës së tij, ndërsa për kryetar Qefalinë, as që bëhej fjalë… Edhe përgjigje negative po te merrje, apo të mos merrje realisht atë që ti pretendon se e meriton, me bindje ju siguroj, se nga zyra e tij do dalësh i kënaqur, i vlerësuar dhe i bindur, se është ajo zgjidhja, ajo që duhej të bëhej për ty… Kjo sjellje dhe ky veprim i kësaj administrate, këtë model pune dhe përkushtimi, e ndesh edhe sot, kur ai është në mesin e mandatit të tij të dytë si Kryetar. Nuk pashë polic komune, roje apo recepsionist, sekretare të famshme, që gjejmë zakonisht në institucione, të cilët janë më të tmerrshëm se vetë titullarët, ku jo vetëm të pengojnë e të pyesin, por duan të informohen në detaje se përse do të takohesh.
Asistova rastësisht në takimin e një përfaqësie pallati të zonës së kësaj komune. U informova nga ata, se vetëm tre familje nga shtatëdhjetë që kishte g