E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkollat shqiptare pa ngrohje, prindërit kontribuojnë me para

shkollat pa ngrohjeNëse nxënësit janë gati për të nisur vitin e ri mësimor 2013-2014, shkollat ende jo. Në shumicën e godinave arsimore infrastruktura mbetet problemi kryesor, duke filluar që nga ambientet e mangëta e deri te mungesa e sistemit të ngrohjes. Madje për këtë të fundit në shumë shkolla kanë qenë prindërit ata që çdo vit kanë kontribuar me një shumë lekësh për të mbrojtur nga i ftohti fëmijët e tyre gjatë dimrit.

Raporti

Problemet me infrastrukturën në shkollat shqiptare janë evidentuar edhe nga nja raporti i fundit i ndërmarrë nga Inspektorati Kombëtar i Arsimit Parauniversitar. Sipas këtij raporti vihen re mungesa të ambienteve mësimore dhe probleme në infrastrukturën e shkollave. Në konkluzionet e raportit janë vënë në dukje mos pajisja e shkollave me klasa laborator për lëndët shkencore, mungesa e ambienteve për edukimin fizik e deri tek mungesa e bibliotekave apo librave që u vijnë në ndihmë nxënësve për të studiuar. Madje sipas raportit, në disa shkolla ka ende mungesë të sistemeve apo mjeteve të ngrohjes për klasat edhe pse për këtë pushteti lokal ka investuar jo pak, por që aktualisht midis shkollave dhe bashkive apo komunave nuk ka një bashkëpunim në nivelin e duhur.

Prindërit

Lidhur me këtë pjesë, në raport thuhet se në mjaft shkolla të vendit prindërit detyrohen të kontribuojnë me fonde për tju ardhur në ndihmë shkollave. Një aspekt tjetër i vënë në dukje si një problem është bashkëpunimi i mësuesve dhe prindërve, që në konkluzionet e raportit thuhet se nuk është në nivelin e duhur. Sipas raportit, stafi pedagogjik në shkolla angazhohet për të lidhur një marrëdhënie me prindërit, për ti informuar ata për ecurinë e fëmijëve, ndërkohë nga ana e prindërve nuk ofrohet i njëjti bashkëpunim.

Bashkëpunimi

Në tërësi vihet re se infrastruktura e shkollave është më e mirë në zonat urbane dhe që midis shkollave të qytetit dhe atyre të fshatit ka një boshllëk të madh. Inspektorati Kombëtar i Arsimit Parauniversitar vë në dukje gjatë inspektimit të shkollave 9 vjeçare dhe ato të mesme, se nuk ka një bashkëpunim të mirë midis shkollave dhe Drejtorive Rajonale Arsimore. Në lidhje me këtë, vihet re edhe mungesë dokumentacioni në shume shkolla të vendit. Specialistët e IKAP rekomandojnë se Drejtoritë Arsimore përkatëse duhet të pasurojnë laboratorët e fizikës, kimisë dhe biologjisë në funksion të procesit mësimor, si dhe të arrihet një bashkëpunim më i fortë me pushtetin lokal për ndërtimin e ambienteve të reja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›