Kriza siriane, Hillary Clinton mban bisedime me udhëheqësit turq
Turqi- Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton ka mbërritur në Turqi për bisedime mbi përkeqësimin e krizës në Sirinë fqinje.
Zonja Clinton do të takohet me udhëheqësit turq si dhe me aktivistët e opozitës siriane atje. Ata pritet të diskutojnë përgatitjet për një tranzicion të pushtetit në Siri nëse qeveria e presidentit Bashar Al-Assad bie.
OKB-ja thotë se ka pasur një numër në rritje të civilëvë sirianë që po i larghen dhunës në Siri, sidomos nga qyteti verior Aleppo. Turqia, si të gjithë fqinjët e Sirisë, po përballet me një krizë humanitare teksa mijëra refugjatë kalojnë përtej kufirit.
Zyrtarët amerikanë thonë se Sekretarja e Shtetit, Zonja Clinton dëshiron të kuptojë pozicionin e Turqisë dhe shqetësimet e saj në një kohë kur situata në Siri njeh vetëm përkeqësime. Ajo gjithashtu pritet të njoftojë ndihma humanitare për të gjithë ata që po largohen nga dhuna siriane.
Sakaq BBC raporton sot se Turqia është duke mbështetur më shumë se 50 mijë refugjatë sirianë, një numër ky në rritje nga dita në ditë. Zyrtarët amerikanë shtojnë se shqetësimet e SHBA-ve janë raportet për një numër në rritje të militantëve të al-Kaidës që po luftojnë përkrah kryengritësve në Siri.
Ditën e djeshme janë raportuar sulme dhe viktima në të gjthië Sirinë, veçanërisht në kryeqytetin ekonomik të vendit Aleppo, teksa aktivistët vlerësojnë se së paku 20 mijë njerëz kanë humbur jetën në Siri që nga fillimi i kryengritjes popullore kundër regjimit të Assad-it në Mars të vitit 2011.
Dorina Bilbili/IDEA/