Tjetër aksident në galeritë e kromit, një 25-vjeçar plagoset në Bulqizë
Bulqizë- Një tjetër aksident me pasojë plagosjen e rëndë të një minatori ka ndodhur sot në minerat e vendit, në atë të kromit në Bulqizë.
Mësohet se në galerinë numër 48 të kësaj miniere 25-vjeçari Beqir Stara ka mbetur i plagosur teksa po punonte në thellësi të saj.
Nga të dhënat e para nuk dihen ende shkaqet e plagosjes së minatorit të ri por mësohet se ia është dërguar me urgjencë me helikopter drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë.
Sakaq ditët e fundit një ngjarje tragjike ndodhi në minierën e Martaneshit ku një minator është zënë poshtë nga një masiv shkëmbor dhe për pasojë ka humbur jetën. Sipas burimeve policore viktima është Gani Doçi, 63-vjeç, i cili u nxor ende në jetë nga miniera, por vdiq gjatë transportit në spital.
Pak orë pas ngjarjes reagoi edhe METE duke dhënë më tepër detaje, ndërsa ka thënë se është nisur një grup pune për të zbardhur ngjarjen.
/IDEA/