Kroaci, akuza të reja ndaj Sanaderit

Prokurorët në Kroaci kanë ngritur akuza të reja kundër ish kryeministrit Ivo Sanader, duke thënë se ai ka përdorur një marrëveshje korruptive për t`i shtuar pasurisë së tij afër 3 milionë dollarë.
Zyrtarët në Zagreb thanë se Sanader dhe tre ish ndihmës të tij akuzohen se kanë përdorur fondet qeveritare për të blerë një ndërtesë me një çmim që ishte “dukshëm më i lartë sesa e kishte vlerën në treg”.
Kjo është akuza e pestë që ka të bëjë me korrupsion kundër Sanaderit, i cili udhëhoqi qeverinë nga viti 2003-2009.
Prokurorët thonë se ai në mënyrë të paligjshme ka fituar një pasuri prej më shumë se 15 milionë dollarësh, përmes një serie të marrëveshjeve korruptive ndërsa shërbente si kryeministër.
Sanader ka hedhur poshtë akuzat e mëparshme duke thënë se është i pafajshëm.
Lufta kundër korrupsionit shihet si çelës në anëtarësimin e Kroacisë në BE në vitin 2013.