E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rasti i Blasfemisë, Pakistan, arrestohet një imam

Policia pakistaneze ka arrestuar një imam i cili akuzohet se ka vendosur faqe të djegura të Kuranit, në çantën e vajzës së krishterë e cila u akuzua nga autoritetet për blasfemi.
 

Vajza u ndalua dy javë më parë në afërsi të kryeqytetit Islamabad pasi një turmë e zemëruar kërkoi që ajo të ndëshkohej. Gjithsesi, në hetimet e zhvilluara deri tani, duket se një dëshmitar i tha policisë se imami Khalid Cishti i ka vendosur vetë faqet e djegura në cantën e vajzës.

Rasti në fjalë ka ngjallur debate të ashpra, duke sjellë kritika ndërkombëtare nga grupet dhe aktivistët e të drejtave të njeriut.
Vajza me emrin Rimsha, e cila thuhet se është 14 vjeç dhe sipas mjekëve me aftësi të kufizuara mendore, vazhdon të mbahet në një burg të sigurisë së lartë, pasi gjykata e shtyu afatin edhe me dy javë të tjera.

Familja e Rimshës i ka kërkuar presidentit pakistanez, Asif Ali Zardari ta falë vajzën. Prindërit mbahen nën mbrojtjen e policisë pasi kanë marrë kërcënime nga fqinjët e tyre myslimanë.
 

I gjithë komuniteti i krishterë ndjehet i kërcënuar dhe mjaft familje kanë marrë arratinë. Ligjet strikte të blasfemisë shpesh përdoren në Pakistan për hakmarrje personale. Vitin e kaluar, edhe disa liderë politikë janë vrarë, në momentin që ngritën zërin kundër këtij legjislacioni.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›