Kroaci, koalicioni i majtë fiton zgjedhjet

Koalicioni i qendrës së majtë është fitues i zgjedhjeve në Kroaci, tregojnë rezultatet e zgjedhjeve, pas numërimit të më shumë se 70% të votave.
Pritet që koalicioni i “Kukurikut” të fitojë 78 vende në parlamentin prej 151 antarësh. Partia që drejtoi vendin në katër vitet e fundit dhe Kryeministrja Kosur pritet të përjetojnë zhgënjimin më të madh në historinë e konservatorëve të HDZ-së, me grumbullimin e vetëm 48 vendeve.
Humbja e bllokut qeverisës ishte parashikuar nga të gjitha sondazhet paraprake, ndërsa zgjedhjet u mbajtën në një klimë të rënies ekonomike dhe disa skandaleve të korrupsionit që përfshinë antarë të kabinetit.
”Nuk do t`iu zhgënjejmë, do ta shikoni”, premtoi lideri i “Kukurikut”, Zoran Milanoviç, ndërsa e cilësoi si tashmë “të sigurt” fitoren e tij. “Nuk mund të premtojmë që nuk do të bëjmë gabime, por ju sigurojmë se s`do të bëjmë gabimet e të shkuarës. Kroatët meritojnë një të ardhme shumë më të mirë dhe nuk do të ketë asnjë justifikim nëse nuk do të shpërblejmë besimin e tyre”.
Qeveria e ardhshme kroate do të ketë një detyrë historike, duke qenë se do të jetë edhe e para që do të udhëheqë vendin në Bashkimin Europian, pasi Kroacia të antarësohet në 2013-n.
Sipas Milanoviç, objektivi kryesor për Zagrebin duhet të jetë shmangia e zhvlerësimit të normës së kreditimit dhe nxitja e rritjes ekonomike. Ai e konsideroi një hua të madhe nga Bashkimi Europian si “zgjedhjen e fundit”, por një opsion që duhet marrë parasysh.