Kroacia, Dalic: Brazilin e doja në finale, por…

Pas fitores ndaj Japonisë në 16-she, trajneri i Kroacisë, Zlatko Dalic, deklaroi se futbolli nuk është patinazh artistik, por luftë për rezultat. Melita Juratek, sekretarja e federatës kroate të patinazhit, ishte revoltuar: “Një deklaratë e pahijshme, Dalic nuk ka respektuar sportin tonë. Patinazhi artistik është një nga sportet më të vështira. Uroj fat të mirë për futbollistët tanë, shpresoj që me Brazilin të fitojnë pa shkuar në kohë shtesë dhe penallti”. Kështu, në konferencën për shtyp para Brazil-Kroaci, Dalic fillimisht kërkoi falje: “Nuk doja të ofendoja askënd, kërkoj falje nëse lëndova dikë. Nuk doja të isha negativ për patinazhin”.
Për të shmangur telashet e mëtejshme, Dalic u shkëput nga kritikat ndaj kërcimit që brazilianët organizojnë pas golave: “Është mënyra e tyre e argëtimit, është e drejta e tyre ta ushtrojnë atë. Nuk do të doja që ekipi im të festonte kështu, por unë jam kroat dhe i përkas një kulture tjetër”. Dhe për ndeshjen: “Përballja me Brazilin erdhi herët, do të kisha dashur t’i takoja në finale. Krahasuar me 2018, kemi ndryshuar 18 lojtarë. Brazili është kombëtarja më e mirë në këtë Botëror, më energjikja. Kur humbasin topin, shtypin dhe rikuperojnë në një kohë të shkurtër”.
“Ne nuk duhet të shkojmë një me një, por të ndihmojmë njëri-tjetrin. Ata janë të gjithanshëm, përdorin taktika të ndryshme. Do të jetë e rëndësishme të mbulohen mirë të dy krahët dhe të ngushtojmë hapësirat rreth Neymar. Nuk duhet të hyjmë në konflikte me veten, të rrëshqasim në panik, por them se në një Botëror nuk ka asgjë më të mirë se të luash kundër Brazilit, për atë që brazilianët përfaqësojnë në futboll”.