E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Analizë, Pesë “mëkatet” e Luis Enrique

E përditshmja spanjolle “Marca” përshkroi sot disa prej lëvizjeve të gabuara të bëra nga Luis Enrique gjatë aventurës të shkurtër në Katar 2022.  Më poshtë do të njiheni me secilën prej tyre.

Mungesa e guximit pas frazës “nuk do të vdesim nga frika”

Pak ditë pasi Spanja u grumbullua në Ciudad del Fútbol de Las Rozas Luis Enrique tha se “nuk do të vdesim nga frika, do të sulmojmë me regjim të plotë”. Kaluan pak ditë dhe u kuptua se këto fjalë ishin për të ngritur moralin e ekipit. Skuadrës i mungoi tërësisht guximi në ndeshje kyçe siç ishin ato kundër Japonisë dhe Marokut. Spanja e Enrique-s koleksionoi pasime të pafundme topash por pa rrezikuar thujase asnjë herë portën kundërshtare. Përballë Japonisë, Spanja mbajti topin në  83% të kohës ndërsa përballë Marokut 77%.

Pa plan “B”, sistem dhe stil loje i njëjtë

Luis Enrique nuk e ndryshon për asnjë gjë në Botë skemën e tij të preferuar, 4-3-3. Nëse ky sistem nuk është i suksesshëm atëherë Spanja nuk ka një sistem alternativ, ku mund të mbështetet. Kjo u pa edhe në ndeshjet kundër Japonisë dhe Marokut. Fakti që grumbulloi vetëm një sulmues të vërtetë zone (Morata) tregon shumë. Të njëjtën gjë mund të thuhet edhe për mesfushën ku luajnë vetëm Busquets, Pedri dhe Gavi të cilët qarkullojnë topin shumë larg portës rivale. Luis Enrique është fajtor edhe për faktin se ka patur besim të verbër te Pedri, Busquets dhe Ferran.

Mungesë autokritike “më shumë se i kënaqur, kanë ekzekutuar deri në detaj planet e mia”

Shtypi spanjoll akuzon trajnerin për mungesë autokrtike. Pas ndeshjes me Japoninë tha se skuadra e tij humbi pasi ishte “shkëputur nga loja për vetëm 10 minuta”. Ndërsa në fund të takimit me Marokun pohoi se: “Jam më shumë se i kënaqur me ekipin pasi ekzekutuan në perfeksion idetë e mia”. Mjaftojnë këto dy fjali për të akuzuar Enrique-n si njeri që nuk bën autokritikë.

Pa zgjidhje, zëvendësimet përkeqësuan ekipin

Në Botërorin e 2010 Spanja gjente zgjidhje në ndeshje e sipër falë zëvendësimeve të gjetura të Del Bosque. Në Botërorin Afrikë e Jugut 2010, Spanja kaloi Portugalinë pas intuitës që pati trajneri kur zëvendësoi Torres me Llorente. Në Botërorin e Katarit, Enrique nuk bëri asnjë zëvendësim të gjetur. Nga stoli nuk i erdhi askush në ndihmë. Me përjashtim të Nico Williams askush nga zëvendësuesit nuk përmirësuan ekipin në duelin kundër Marokut.

Pa yje dhe me të paprekshëm

“Më vjen shumë keq sepse disa lojtarë nuk kanë mundur të luajnë sa duhet në këtë Botëror. Ky është rasti i Pablo Sarabia-s me të cilin jam treguar i padrejtë”, tha Luis Enrique pas eleminimit nga Maroku. Për “Marca” mungesa e besimit te lojtarë si Sarabia apo te besimi i tepërt te lojtarë si Busquets, Pedri, Ferran dhe Dani Olmo ishin një minus për Spanjën në Katar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›