E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kroacia dhe Sllovenia në udhëkryq për kufirin

Lubjanë -Kryeministrat e Sllovenisë dhe Kroacisë nuk bënë asnjë përparim në takimin e tyre të parë sot mbi një mosmarrëveshje për kufirin, që ka bllokuar rrugën e Kroacisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kryeministri slloven, Borut Pahor dhe homologu i tij kroat, Ivo Sanader shfaqën një kortezi të ftohtë dhe buzëqeshje të sforcuara, ndërkohë që dhanë vetëm deklarata të shkurtra pas takimit njëorësh mes tyre në një pikë turistike sllovene golfi. Palët janë shumë larg njëra-tjetrës lidhur me çështjen e zgjidhjes së mosmarrëveshjesh edhe pse Sllovenia ka shfrytëzuar edhe ofertën e Bashkimit Evropian për ndërmjetësim.

Sanader përshëndeti me kujdes ofertën, por shtoi se parapëlqente që çështjen ta merrte për shqyrtim Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. ''Sllovenia nuk do ta heqë veton e saj për bisedimet e anëtarësimit të Kroacisë derisa ë mos arrihet përparim në zgjidhjen e çështjes së kufirit'', deklaroi Pahor. ''Ky ishte vetëm takimi i parë dhe në vetvete ai ishte një hap përpara'', shtoi ai duke theksuar se takime të nivelit të lartë do të zhvilloheshin edhe në të ardhmen.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›