Woody Allen
“Karla Bruni më ka pëlqyer gjithmonë për personalitetin që ka dhe mendoj se mund të jetë një aktore e mirë”, tregon Woody Allen. “Fakti është se për shkak të pozicionit të saj të veçantë në Spanjë nuk mund të abuzoj shumë me kohën e saj. Do më pëlqente të ishte aktore në një nga filmat e mi. Po ju them se jam optimist. Por duhet të marr parasysh faktin se një zonjë e martuar me kreun e shtetit të Francës në momentin e fundit mund të largohet nga filmi im për të tjera impenjime më të rëndësishme”. Woody është gjithmonë kështu: i qetë dhe i dashur me të gjithë. Asnjëherë nuk dëshiron të prekë apo lëndojë njeri, ndaj matet mirë me fjalët që thotë. Kur e pyet se çfarë mendon për ndarjen e çmimeve “Oskar” që kurorëzoi me gjashtë statuja “The hurt Locker”, një film për të cilin nuk është përdorur një buxhet marramendës dhe pa një reklamë madhështore si “Avatar”, përgjigjet se nuk dëshiron të thotë asgjë. Por gjithçka ndryshon kur e pyet për grupin e tij “New Orleans jazz band”, me të cilin performon që prej viteve ‘70 në rolin e klarinetistit. Banda e tij sapo ka nisur një tur europian që përfshin Monakon, Hamburgun, Berlinin, Vjenën, Gjenevën, Barcelonën dhe Romën.
Nuk mendon se ke bërë progres të dukshëm si xhazist në 35 vjet koncerte ‘dal vivo’ dhe njohjes së mirë të kësaj rryme muzikore?
Ndoshta me kalimin e kohës jam përmirësuar disi, por mendoj se një kusht i domosdoshëm për të bërë përpara është talenti. Nuk e them për mungesë modestie, por jam vërtet një amator dhe nuk kam shumë vesh muzike. Shokët e mi për të qëndruar në të njëjtin hap me mua, duhet ta ngadalësojnë hapin dhe të më përshtaten, pavarësisht se ata janë shumë, shumë herë më të zotë. Le të themi se kinemaja më ka bërë të famshëm. Njerëzit vijnë të më shohin dhe dëgjojnë, sepse jam i famshëm falë filmave të mi. Do të vdisja për bukë brenda javës nëse do të isha thjesht muzikant, jo i njohur në fushën e kinematografisë. Mund ta mbush sallën plot në një koncert, por më duhet ta pranoj se publiku më shumë se cilësinë time të të luajturit muzikë xhaz vjen ngaqë më ka për zemër si regjisor.
Planet për filmin e ri?
Prej kohësh po mendoj të bëj një film në Itali dhe vendin e parë të fantazive për sheshet e xhirimeve e zënë Roma dhe Venencia. Ajo që më frikëson paksa është klima. Atje është një verë shumë të nxehtë dhe aspak ideale për mua, që vuaj shumë nga ngrohtësia. Unë zakonisht preferoj t’i luaj filmat e mi gjatë verës.
Na fol pak për filmin e fundit, atë të vitit 2009?
Titullohet “You will meet a tall dark stranger”, ku ndeshen temat që unë pëlqej më shumë: jeta, dashuria, besimi, ambicia, vdekja. Konflikte dhe tradhti bashkëshortore, çështje dashurie që gërshetohen me punën. është një histori dramatike dhe ironike. Në kastin e aktorëve bëjnë pjesë: Freida Pinto, Josh Brolin, Antonio Banderas, Gemma Jones, Naiomi Watts. Po ashtu dhe i jashtëzakonshmi Anthony Hopkins. Nuk mendoja se do të pranonte, por sa i bëra propozimin m’u përgjigj po menjëherë. Aty interpreton rolin e një biznesmeni të pasur të martuar me Jones, ndërsa Freida është një vajzë që studion piano; Brolin është një shkrimtar që përpiqet të heqë mërzitjet e tij duke u përfshirë në një lidhje jashtëmartesore, ndërsa Banderas është pronari i një galerie arti.
Me pak fjalë edhe kësaj here Woody Allen vlerëson talentin e një grupi aktorësh të mrekullueshëm?
Prej vitesh pyes veten për performancën e mrekullueshme që bëjnë interpretuesit e filmave të mi dhe kur përgjigjem të gjithë mendojnë se jam duke luajtur. Por nuk është kështu. Unë arrij të drejtoj njerëz të jashtëzakonshëm, që të tillë kanë qenë edhe para se të njiheshin me mua, që vazhduan të ishin gjatë filmit tim dhe do të vazhdojnë të jenë edhe në të ardhmen. Nuk dua t’i ngatërroj idetë e tyre. I punësoj dhe pastaj i pyes nëse duan të qëndrojnë apo të largohen. Por pas leximit të skenarit gjërat ndryshojnë. Pastaj xhirohet filmi dhe gjërat shkojnë shumë mirë. Mund të dukem i zoti që kam qenë regjisor i tyre, por ju them se kur një regjisor arrin të punojë me aktorët e duhur ka realizuar 99 për qind të projektit të tij.
Në moshën 74-vjeçare si ndihet Woody Allen, i kënaqur për ato që ka arritur në jetë apo i trishtuar?
E kam kuptuar se jeta është e shkurtër, e keqe dhe false. Të gjithë ecim drejt një fundi që se dimë kur do vijë.
Filmat tuaj janë gjithmonë e më shumë pesimistë...
Mendoj se ekzistenca nuk ka kuptim. Nuk e dimë përse ndodhemi në këtë botë, madje edhe lindja jonë është e lidhur me rastësinë. Mundësitë që veza të bashkohet me spermatozoidin që e fekondon janë jashtëzakonisht të vogla dhe rastësia është vendimtare në çdo aspekt të jetës. Nuk ekziston asnjë Zot dhe është e vështirë t’i rezistosh idesë që mund të shohësh gjithçka si një ankth i tmerrshëm. Ata që shohin në fundin e filmit një shenjë optimizmi do t’u përgjigjem duke folur për pëlqimin, për iluzionet dhe një përpjekje për të mbijetuar në krahasim me netët kur janë të mbërthyer nga frika. Megjithatë bëhet fjalë për një hap përpara në krahasim me tentativat e vetëvrasjes së protagonistit.
Dostojevski ka shkruar se nëse Zoti nuk ekziston gjithçka lejohet. Ju besoni në një ligj moral superior?
Nuk ekziston një ligj për këtë, por mendoj se të gjithë njerëzit duhet të kenë një marrëveshje të përbashkët për sa u përket vrasjeve dhe vjedhjeve. çdo njeri bën zgjedhje morale, por nuk ka asgjë sipër nesh.
është e vërtetë që ju nuk i shihni kurrë filmat tuaj?
Kurrë, madje kur ndodh ndonjëherë që jepen në televizor ndërroj menjëherë kanal. Asnjëherë nuk jam i kënaqur me atë çka bëj. Gjithmonë kërkoj më shumë. Që në sheshin e xhirimeve i kuptoj disa gabime që mund të kem bërë. Me kalimin e kohës kam mësuar shumë hile, por prapë ka gjëra që nuk më pëlqejnë te vetja. I vetmi film, që ditën e fundit të xhirimeve isha i kënaqur, ishte "Match point", por kjo nuk do të thotë se ai ishte më i miri.
#