E Diel, 1 Nëntor 2026

Kroacia, shumë vuajtje për të mundur Austrinë në Vjenë

 

Ballkanasve, të drejtuar nga Biliç, u mjafton një 11-metërsh në minutën e 4-t nga Modriç

Takimi i djeshëm, midis Kroacisë dhe Austrisë, ka dhuruar emocione për të pranishmit në stadiumin "Ernst Happel" të Vjenës, ku kroatët kanë kaluar menjëherë në avantazh me anë të talentit Luka Modriç, i cili ekzekutoi saktësisht një 11-metërsh të fituar nga Ivica Oliç. Në pjesën e parë, kroatët janë më të saktë dhe në disa raste mund të kishin dyfishuar rezultatin, por nënvleftësimi është tepër i madh në radhët e kroatëve. Kur mendohej se Kroacia nuk do ta diskutonte fitoren, në fundin e pjesës së parë, vendësit austriakë janë zgjuar nga gjumi duke rrezikuar në disa raste dhe duke shtrënguar shumë në fundin e fraksionit të parë, por kroatët mbrohen mjaft mirë, duke u bërë ballë me sukses aksioneve të shpejta të kombëtares së Austrisë, e cila për 30 minutat e pjesës së parë nuk ka ekzistuar fare në fushë, por në fundin e saj ka treguar forcën e saj e influencuar nga suporti i tifozëve austriakë. Pjesa e dytë nis si fundi i së parës, me Austrinë protagoniste, e cila sulmon fuqishëm me anë të sulmuesit Flinz dhe kapitenit Ivanshitç, por pa e gjetur mundësinë e golit, pasi dhe prapavija kroate është në një ditë tepër të mirë. Por, me anë të eksperiencës së saj, Kroacia fillon ta shtrijë lojën në gjysmëfushën austriake dhe në minutën e 60-të, Modridiç shpërthen nga e djathta duke shërbyer për Oliçin e lirë në zonë, por në momentin e fundit, mbrojtësi austriak Vastiç shpëton portën. Pas minutës së 70-të, me ndërrimet e kryera ku largohet nga fusha dhe shqiptari me pasaportë austrike, Gërxhaliu, austrikët kanë në duart e tyre fatin e takimit, duke rrezikuar shpesh portën e Kroacisë. Por lojës së bukur të tyre dhe tepër inpulsive i mungon vetëm goli, të cilit ata i afrohen më shumë në minutën e 92-të, kur Kienast, me një gjuajtje me kokë, ka "qethur" shtyllën e majtë pingule të portierit kroat Pletikosa. Por, me gjithë dominimin e austrikëve në pjesën e dytë, në fund ka fituar eksperienca e kroatëve, të cilët kanë siguruar kështu dhe tripikëshin e parë në grupin B, ku përveç Austrisë bën pjesë Gjermania dhe Polonia. Duhet thënë se, mes shumë polemikash, austrikët kanë bërë një paraqitje tepër të mirë përballë punlikut të tyre dhe me atë çka treguan në fushën e blertë meritonin të paktën një barazim, por në të tilla kompeticione, si "EURO 2008", eksperienca është një faktor determinues dhe në ndeshjen e djeshme, kjo e fundit ishte, padyshim, në krahun e Kroacisë, e cila mori një fitore mes vuajtjesh në Vjenë.

Andi MATRAXHIU

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›