Nuk mbajmë përgjegjësi!
Shqipëria ka një traditë shumë negative në mbajtjen e përgjegjësive. Ose më shqip: Shqipëria ka treguar tradicionalisht mungesë përgjegjësie në menaxhim dhe kjo në tërë aspektet e mundshme. Armë dhe municione të grumbulluara nga diktatura ka patur Shqipëria me bollëk: shpërthyen m’u në zemër të Republikës! Armë kishte Shqipëria me 1997: askush në qeveri nuk diti t’i ruante dhe miliona predha i gjen edhe sot e kësaj dite të braktisura rrugëve.
Me dy shtete kufizohej Shqipëria deri pak kohë më parë: të parët ishim ne që edhe kundër tërë interesave kombëtare, thyem për turp të Perëndisë embargon ndaj Jugosllavisë për 5 para. Një Flotë modeste Detare kishte Shqipëria para 1990. As shteti e as policia, nuk frenuan dot rrëmbimin e tërë anijeve që ishin në port, vjedhjen e tyre dhe rrëmbimin për të çuar mijëra hallexhinj si refugjatë të vërtetë në Itali. Më 1997, barinjtë lokalë u hipën nëndetëseve dhe dolën mbi to në CNN. Një gangster në Berat mori një avion “Mig” të Flotës Ajrore për të bombarduar bandën rivale (për ndonjë që e dyshon këtë fakt, e ftoj të kërkojë më shumë info, qoftë edhe online, se ky është fakt i vërtetë!). Më 1994, Shqipëria shënoi dhjetëra raste kolere se qeveria nuk qe në gjendje të kontrollonte as shëndetin publik.
U kërkoj ndihmë tërë pjesëmarrësve të tjerë të më thonë se çfarë gjëje pak a shumë me vlerë ka patur ndonjëherë këto 20 vjetët e fundit në vendin tonë që është ruajtur në siguri të plotë dhe që nuk është shitur për 5 kacidhe nga hajduti i rrugës.
Dhe ja tani, na diçka dhe një ide tjetër: të bëjmë Central Nuklear në Shqipëri. Kjo është çmenduri. E para, Shqipëria nuk vuan aq shumë nga mungesa e energjisë, por nga sistemi primitiv i transmetimit të energjisë. E dyta, se në Shqipëri mbi 50% e konsumit të energjisë nuk paguhet dhe që vendi ynë të ketë drita, Shqipëria duhet të blejë Uraniumin e tërë botës. E treta, dhe që mua më duket më e rëndësishmja,
t’i japësh Shqipërisë një central bërthamor siç propozon i mençmi Kryeministër, do të thotë që brenda 5 vjetësh Uranium dhe Plutoniumi do të vidhen, do t’u shiten mbase edhe terroristëve më injorantë, ndonjë punonjës do të harrojë të mbyllë ndonjë derë apo do shtypë ndonjë sustë gabim dhe do spërkasë Vlorën me ndonjë curril radioaktiv dhe, së fundi, në krizën më të afërt politike/sociale në Shqipëri, ndonjë rrugaç i rëndomtë do të pushtojë centralin dhe pasi të kërkojë se mos kushedi ka ndonjë lek në zyrat e administratës, do t’i këpusë ndonjë zjarr nga inati që të hedhe në erë tërë Ballkanin.
Kush janë këta njerëz ore që shkruajnë se Shqipëria ka mundësi të garantojë që asnjë incident nuk do të ndodhë e që të na bëjë të gjithëve si bombë me sahat në mes të Europës?