Kroati Kuzhe: Na duhet goli që të fitojmë
Trajneri kroat i kombëtares kuqezi, Josip Kuzhe, ka qenë i qartë në konferencën e djeshme për shtyp. Ai kërkon tre pikët në ndeshjen e sotme kundër Bjellorusisë dhe e ka fare të qartë planin sesi ta arrijë diçka të tillë: kuqezinjtë duhet të shënojnë. “Një problem i yni është realizimi - nis të flasë Kuzhe përpara mediave -, nuk krijojmë shumë raste për gol dhe nuk shënojmë shumë. Ky nuk është problem vetëm me mua, por ishte një problem edhe përpara se unë të merrja drejtimin e skuadrës. Ndeshja me Bjellorusinë është një mundësi për të fituar pikë, megjithtë e respektojmë këtë kundërshtar. Mendojmë se kemi mundësi të marrim një rezultat pozitiv dhe zgjodhëm që të luajmë në mënyrë të hapur, me një skuadër sulmuese dhe të kërkojmë të shënojmë gol.” Thënë këtë, Kuzhe nuk ngurron të pranojë se për asnjë moment nuk e ka çuar ndërmend shkarkimin në rast dështimi. “Më besoni, për asnjë moment nuk e kam menduar çështjen e kontratës. Objektivi im real është të marrim pikë, të ngrihemi në renditje dhe që skuadra të ecë përpara,” thotë kroati, që më pas nis të shpjegojë edhe arsyet se përse ia ka besuar kuadratin kuqezi Samir Ujkanit e jo Arjan Beqajt. “Zgjedhjet bëhen në bazë të disa dy-tre kritereve, ku gjëja kryesore është që lojtarët të aktivizohen në klubet e tyre. Ujkani po paraqitet shumë mirë, po luan rregullisht dhe ka fituar besim, pra gjithçka për të qenë në formë të shkëlqyer. Beqajn e respektojmë për atë që ka dhënë dhe i besojmë, por Ujkani mbetet numri 1 i Shqipërisë.” Por si do të luajnë kuqezinjtë? Kuzhe ka pranuar se do të jetë një 4-4-2 klasik, por e veçanta do të jetë aktivizimi i Skelës në të djathtë të mesfushës. Vlonjati do të bëjë repart me Agollin në të majtë, Lalën e Bulkun në qendër. Duro do ta nisë nga pankina ndeshjen e sotme.
Bjellorusia është një kundërshtar i vështirë dhe Kuzhe është mjaft i qartë në këtë pikë. “Kam pasur shumë kohë për ta analizuar këtë kundërshtar. 5-6 muaj më parë, përpara problemeve fizike punova shumë për ndeshjen me Bosnjen, dhe më pas me u përqendrova shumë te Bjellorusia. Pika më e fortë? Do të thyoja se ata kanë shumë kohë që luajnë së bashku. Për shkak të motit dhe ndërprerjes së kampionatit ata punojnë për shumë kohë së bashku, qëndrojnë 20 ditë në Antalia apo grumbullohen në Austri dhe e njohin shumë mirë njëri-tjetrin.” Por nëse gjithçka shkon keq me sulmin? Kuzhe pranon se ka një plan rezervë. “Nëse më pyesni për lojtarët që mund të përmirësojnë lojën dhe të forcojnë skuadrën në sulm, do të thoja Bakaj. Gjithashtu ka edhe zgjidhje të tjera, por Elisi është opsioni i parë,” deklaroi dje trajneri Kuzhe, që shpreson të marrë maksimumin sot nga përballja me Bjellorusinë në “Qemal Stafa”
Shipëria
Ujkani
Lila, Cana, Teli, Vangjeli
Skela, Lala, Bulku, Agolli
Salihi, Bogdani
Shkurt
FSHF gjobitet me 40 mijë euro
Shqipëria është gjobitur me 40 mijë euro nga UEFA për hedhjen e fishekzjarrëve dhe objekteve në fushë gjatë ndeshjes Shqipëri-Bosnje (9 tetor 2010) për eliminatoret e Kampionatit Europian 2012. Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi për shtyp në Federatën Shqiptare të Futbollit, Lirim Zalla. Në tetor të vitit 2009, FIFA gjobiti FSHF-në me 15 mijë euro për shkak të mungesës së ujit të ngrohtë në dushe gjatë ndeshjes kualifikuese të Botërorit 2010, Shqipëri-Danimarkë (9 shtator 2009).
Suedezi Strombergson, ‘bilbili’ i sfidës
Shqiperi-Bjellorusi do të drejtohet nga një katershe suedeze të kryesuar nga Markus Strombergson. 35-vjeçari mban stemën e FIFA-s prej vitit 2006 dhe cilësohet si një gjyqtar me perspektivë. Në total, Strombergson ka gjykuar 27 ndeshje ndërkombeëare, ndërsa vetëm në sezonin 2010-’11 ka regjistruar 10 ndeshje në nivele të larta. Këtu përfshihen 3 ndeshje në Europa League, një në Champions. Asistentë do të jenë Manjus Sheblom dhe Daniel Vernmark, ndërsa Jonas Erikson i katërt.