Skela: Rikthehem për të sjellë fitoren
Mesfushori kuqezi shprehet optimist për një sukses të madh ndaj Bjellorusisë
Është risia, nëse mund ta quajmë kështu, e formacionit të Kuzhesë. Ndonëse ekipi i tij në Poloni nuk i ka aspak punët mirë, kroati i ka besuar një fanellë titullari, pasi me Slloveninë u pa fare qartë që na mungonte inteligjenca e Ervinit. Por ai kërkon fitoren sepse beson te forca e kombëtares sonë. Në konferencën e djeshme për shtyp, Skela nuk ngurroi të tregonte edhe aventurën e re në Poloni.
Kjo është ndeshja më e rëndësishme e sezonit. Çfarë duhet të bëjë Shqipëria?
Kjo është një ndeshje e rëndësishme për ne, nisur dhe nga pikët që kemi në grup. Mendoj se, që të arrijmë qëllimin tonë, pra rezultat pozitiv, jo vetëm kundër rivalëve, por edhe ekipeve të vogla në grup, duhet që secili nga ne të japë maksimumin gjatë 90 minutave. Që nga dita e parë në të fundit duhet angazhim maksimal. Këtë e kam thënë më parë dhe e them vazhdimisht.
Keni munguar në një ndeshje të ekipit kombëtar. Çfarë ndjesie keni pasur gjatë kësaj kohe?
Në momentin që mu bë një ofertë nga Polonia, pra kur erdhi kjo ofertë erdhi u gëzova shumë, jo për para por se është një ligë profesioniste dhe kjo më jepte avantazhe. Insistimi i trajnerit që unë të isha pjesë e Kombëtares më detyroi të kërkoja një skuadër profesioniste. Jam shumë i gëzuar që jam këtu dhe do të jap maksimumin tim që ekipi ta fitojë këtë ndeshje.
Shqipërisë, u pa që i mungon Skela. Ndoshta këtë herë ndiheni më i motivuar....
Ndihem shumë mirë që më vlerësojnë, por edhe për kontributin tim në gjithë këto vite. Në Kombëtare nuk ekzistojnë vetëm emrat, si Lala, Skela, Cana etj. Por ekipi kombëtar funksionon si grup, përfshi dhe trajnerin, stafin teknik e mjekësor etj. Unë mungova ndaj Sllovenisë, por ky nuk shtë fundi. Nuk është se u ndie mungesa.
Dukeni i rinuar...., por sa do të vazhdojë Ervini në Kombëtare?
Nuk e di, nuk mund të them se sa kohë do të jem në Kombëtare, por e di një gjë se kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për mua dhe për ekipin.
Një barazim me Bjellorusinë mund të quhet dështim për skuadrën tonë?
Vështirë të them tani. Jemi euforikë dhe këto i sjell rezultati pozitiv. Varet nga loja. Nëse loja shkon mirë na duhet fitorja, në të kundërt…
Në ndeshjen e parë mungonte Cana, Bogdani, Kuzhe etj. A ka pasur bisedë mes jush që mund të ndryshojë diçka nga ajo ndeshje?
Për të ndryshuar ka vend gjithmonë. Në futboll ndodhin ndryshime. Në atë ndeshje kemi pasur mungesa të rëndësishme. Nuk kishim as trajnerin. Ne e kemi parë ndeshje, e kemi analizuar. Analizuam deri detajet. Por ne duhet të përqendrohemi te loja jonë. Të mos merremi shumë me kundërshtarin. Duhet të kemi të qarta idetë tona të lojës. Secili nga ne i mbetet të një detyrën e tij.
Përtej modestisë tuaj, të gjithë mezi prisnin Skelën në kombëtare.
Unë këtë vlerësim dua ta tregoj me profesionalizmin dhe eksperiencën time. Por në këtë ndeshje uroj të bëj më të mirën, që të marrim rezultat pozitiv. Na duhet dhe fat, sigurisht. Kombëtarja ka shumë lojtarë dhe që të gjithë duhet të jenë në një ditë të mirë që të realizohet objektivi për rezultat pozitiv.
Në Kombëtare ka pasur shumë emra të spikatur në 20 vjetët e fundit, si Demollari, Kola, Skela. A sheh ndonjë pasardhës të Skelës?
Më është bërë shpesh kjo pyetje. Mund t’i përgjigjesha me një pyetje: Nuk e di, a i është bërë Demollarit dhe Bledar Kolës kjo pyetje dhe ç’përgjigje kanë dhënë ata? Skelës s’ia ka dhuruar kush vendin në Kombëtare. E ka merituar me djersën e tij. Të rinjtë që janë kanë kualitet shumë të mirë, karakter shumë të mirë gjithashtu, por duhet të punojnë më shumë, të jenë më seriozë. Dhe këtë flamur që kemi duhet ta mbajnë, pasi peshon shumë.