Krojf: Murinjo me sindromën “barcelonizëm”
Ish-lojtari dhe trajneri i Barcelonës, holandezi Johan Krojf, thekson se Murinjo ka gabuar gjithçka në skemat e tij dhe mënyrën sesi e ka përballur skuadrën katalanase
Legjenda e Barcelonës Johan Krojf vazhdon luftën kundër trajnerit të Real Madridit, Zhoze Murinjo duke thënë se Barcelona është opsesioni i Murinjos. Krojf, fjalët e tij metaforike i përshkruan mëposhtme: "Murinjo ka barcelonizëm", theksoi ai në kolumnën javore për revista të gazetës “El Periodico de Catalunya". "Katër ndeshjet mes Real Madridit dhe Barcelonës janë tashmë histori. Ato ishin shumë të vështira. Në asnjë kohë Murinjo nuk e ka sjellë zgjidhjen e vet, çdo veprim i tij ishte rezultat i aktiviteteve të Barcelonës", është i sigurt Krojf. "Çdo madridist, i cili ka parë triumfin e Realit me rezultat 6-2 në Sevilje, e pyet vetën se pse Real Madridi doli me një tjetër grup dhe një tjetër qëndrim ndaj Barcelonës. Rezultatet e fundit në La Liga dëshmojnë se Barcelona bëri punë të mirë në Ligën e Kampionëve. Reali e mposhti pa problem Bilbaon, Seviljan dhe Valencian në ndeshjet si udhëtues, që nuk është e lehtë. Kemi parë katër El Clasico të nxehtë. Aspekti mental ishte ndoshta më i lodhshëm se sa ai fizik, ndoshta për shkak të Murinjos. Kjo është diçka që i takon të kaluarës, por Murinjo nuk mori as një vendim të mirë, si jashtë ashtu dhe brenda fushës.” përfundoi legjenda Johan Krojf.
Ndërkohë, mbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos, ka lavdëruar ekipin e tij për punën e bërë në fitoren 6-2 ndaj Seviljes. Kristiano Ronaldo shënoi katër herë për klubin e kryeqytetit spanjoll në fitoren e thellë të së shtunës, dhe mbrojtësi spanjoll ka thënë se ka qenë mjaft i impresionuar me qasjen e lojtarëve në ndeshje. “Edhe pse liga është shumë e vështirë për t’u fituar, kjo ishte një ndeshje që na jep krenari pasi luajtëm me zemër. Ne bëmë vetëm këtë dhe fituam edhe tre pikë të tjera. Luaj për një ekip dhe gjithmonë jap më të mirën. Ne e merituam fitoren. Në futboll ndonjëherë fitohet në një sfidë të vështirë si kjo dhe humbet në tjera si Zaragoza. Sido që të jetë, ne kemi nevojë të vazhdojmë të punojmë dhe ta ruajmë këtë dinamikë të mirë”, ka thënë Ramos.
Por ka edhe nga ata që qëndrojnë me këmbë në tokë. Pep Guardiola thotë se ata do të fillojnë ta festojnë titullin e tretë në radhazi vetëm kur ta fitojnë atë zyrtarisht. Gjiganti katalanas fitoi ndaj rivalit lokal, Espanjol, me rezultat 2-0 në “Camp Nou” dhe është vetëm një pikë larg mbrojtjes së titullit. “Për herë të parë titulli i ligës është shumë afër dhe varet nga ne. Nëse nuk do të kishim fituar, atëherë kjo do ta rihapte ligën dhe do ta shtynte atë deri në ndeshjen e fundit, që ishte diçka që ne donim ta shmangnim”.