E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis numërimi në Fier, Zeqo kryeson ndaj Bele

Lushnjë, numërohen tri kutitë e para. Qetësi në qytet, përplasje në komuna. Asnjë incident në Ruzhdije, probleme në Liboshfë dhe Dërmenas

Dy kutitë e para të votave të numëruara pas mesnate në qytetin e Fierit kanë pasur brenda tyre 311 vota për kandidatin e majtë Baftjar Zeqo, dhe 267 për atë demokrat Liri Bele.

Ndërsa në kutinë e parë në qytetin e Lushnjës, votat mes kandidatëve Fatos Tushe dhe Albert Sanxhaku janë ndarë 145 për të parin dhe 131 për të dytin. Nga KZAZ-ja e Bashkisë së Lushnjës mësohet se kandidati i të majtës kryeson në 3 kutitë e para të numëruara, pasi kandidati i PS-së kryeson me 100 vota në krahasim me atë të LSI-së. Procesi i zgjedhjeve në Qarkun e Fierit është zhvilluar pa probleme të rënda, të cilat do të mund të rrezikonin mbarëvajtjen e tij, por nuk kanë munguar disa incidente. Në fakt, krejt ndryshe nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, këtë herë epiqendra e përplasjeve në qytetin e Fierit nuk ka qenë më komuna e mirënjohur për ngjarjet e zgjedhjeve të 28 qershorit, që ishte ajo e Ruzhdies, por të tjera komuna, përfshirë edhe atë të ish-deputetit të LSI-së, tashmë i pavarur, Dritan Prifti. Kështu, të vetmet incidente për t’u regjistruar në qytetin e Fierit kanë qenë ato në Komunën e Libofshës, në Komunën Dërmenas dhe lagjen “Afrim i Ri” dhe në fshatin Sulaj, ku komisionerët e të dyja forcave kryesore politike PD dhe PS janë përplasur verbalisht dhe fizikisht deri në grushte. Në Komunën e Libofshës, zonë në të cilën në qershor 2009 Dritan Prifti ka fituar mandatin e tij të radhës si deputet, rreth orës 13:20 të ditës së djeshme komisionerët e majtë deklaruan se po kërcënoheshin nga një kontingjent njerëzish të njohur si problematikë për qetësinë dhe rendin. Ndërkohë që në komunën tjetër afër Libofshës, Dërmenas është ndërprerë për rreth një orë procesi i votimit në qendrën e votimit nr.3153 në fshatin Dërmenas. Shkak për këtë situatë mësohet se është braktisja e detyrës nga tre komisionerë socialistë, përkatësisht Ramadan Cimili, sekretar i këtij komisioni; Vjollca Zhivani e Festim Fasko, anëtarë; duke bllokuar procesin. Shkaku, sipas tyre, kanë qenë parregullsitë e ndryshme të hasura gjatë procesit të votimit, duke cilësuar se kjo nuk ka qenë hera e parë që procesi është ndërprerë. “Ne morëm këtë masë përballë parregullsive, votimeve në grup, njerëz të tjerë të pranishëm në territorin e shkollës ku është qendra e votimit, etj.”, - deklaroi Cimili. Ndërkohë që krejt ndryshe ka reaguar kreu i këtij komisioni, Vezir Genica, përfaqësues i PD-së, sipas të cilit ata marrin urdhra nga jashtë dhe braktisin detyrën. Pas kësaj, në qendrën e votimit ka mbërritur sekretari rajonali KQZ-së, Ardian Kulla, i cili u shpreh se procesi do të vijojë normalisht, sepse ekzistojnë më shumë se gjysma e anëtarëve në qendrën e votimit. Për të zgjidhur këtë ngërç, si rrallë herë në zgjedhje, një ndërhyrje e kryer nga ana e dy deputetëve Dritan Prifti dhe Mesila Dode, ka bërë që situata të zhbllokohet. Tre komisionerët e larguar janë rikthyer, ndërsa Prifti e lidhi largimin e anëtarëve të komisionit të qendrës së votimit nr.3153 me shkeljen e Kodit Zgjedhor, votimin familjar, grumbullimin e njerëzve dhe nuk ngurroi të deklaronte se ky proces nuk mund të quhet i rregullt. Sipas tij, do të hartohet një ankesë për gjitha parregullsitë dhe do të shkruhet në procesverbal gjithçka ka ndodhur. Ndërsa deputetja Mesila Dode deklaroi se procesi në këtë qendër votimi dhe në gjithë qarkun Fier ka ecur normalisht dhe se këto zgjedhje plotësuan standardet europiane. Sipas saj, edhe disa incidente të vogla nuk mund të zbehin atë që është realizuar në këtë qark, gjatë procesit zgjedhor. Pasdite, rreth orës 18:00 një tjetër incident ka ndodhur në fshatin Sulaj të Fierit, ku procesi i votimit është ndërprerë për pothuajse një orë. Mësohet se simpatizantë të Partisë Demokratike kanë ushtruar dhunë ndaj komisionerëve socialistë. Këta të fundit e kanë denoncuar incidentin në polici, e cila ka nisur hetimet dhe procedimin penal, ndërkohë që ka mundësuar rifillimin e procesit. Pothuajse i njëjti incident ka ndodhur edhe në lagjen “Afrim i Ri” Fier, ku për shkak të një grindjeje mes anëtarëve të komisionit të qendrës së votimit, Dashnor Sheqeri, përfaqësues i subjektit të PD-së dhe komisionerit Adil Mehmetaj, përfaqësuesi i subjektit të PS-së është ndërprerë përkohësisht procesi i votimit. Komisioneri i PS-së, në grindje e sipër, ka qëlluar me grushte komisionerin e PD-së, për shkaqe ende të pasqaruara. Në këto kushte, kreu i kësaj qendre votimi, Eluert Danaj, ka ndërprerë procesin, duke kërkuar ndihmën e organeve të rendit, të cilat kanë mbërritur në vendngjarje për të kthyer situatën në normalitet, ndërsa dy komisionerët janë pezulluar nga detyra. Pas mbylljes së procesit të votimit, ka nisur ai i transportimit të votave në qendrat e numërimit, ndërsa bëhet e ditur se kutitë e votimit do të dorëzohen të gjitha në mëngjesin e sotëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›