E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kronika e vonuar e një vdekje të papritur

13-12-2012 / Nga Dalip Greca

Me 11 dhjetor 1947, 65 vite të shkuara, u nda nga jeta Vasil Pani, ish-kryetar dhe arkëtar i Vatrës, ish luftëtar i çetës së Themistokli Gërmenjit. Imzot Noli qe shprehur se “Vasil Pani ishte në Taborrin e parë të shqiptarizmës”

Vatranëve nuk u besohej se lajmi ishte i vërtetë atë mëngjes dhjetori të vitit 1947. Ishte ditë e enjte, 11 dhjetor. Lajmi u përhap me shpejtësinë e erës së ftohtë që përplaste flokë dëbore aty buzë oqeanit Atlantik. Kush nuk e njihte Vasil Panin, që ishte rritur bashkë me Vatrën e më pas  qe bërë një ndër ata që e mbajtën gjallë Federatën. Fatkeqësisht lajmi ishte i vërtetë. Si çdo ditë tjetër atë ditë dimri të acartë që kishte ardhe me borë e erë  të  fortë , Vasili kishte shkuar në restorantin e tij, por jeta u këput sapo hapi derën…

        Lajmin e mësoi i pari dr. Andrea Elia, një nga miqtë më të ngushtë të Vasilit. Editori i atëhershëm i Diellit, Qerim Panariti, pat rrëfyer se” Sipas Zakonit që kishim pasur pesë vjetët e fundit, çdo mëngjes fjaloseshim me Vasilin në telefon.Të enjten në mëngjes bëmë telefon por s’na u përgjigj zëri i Vasilit të shkretë. Na u përgjigj Dr. Andrea Elia, një nga miqët më të ngushtë të Vasilit, dhe me një zë të ngashëruar, e lot në sy na dha mandatën…”. Panariti ka shkruar se Vasili, çdo mbrëmje, pasi mbyllte restorantin, e kishte bërë zakon, që të shkonte në zyrën e Vatrës pothuajse çdo të mërkurë që të shihte Diellin, gazetën e Vatrës. Këtë zakon nuk e prishi as një natë para se të ndërronte jetë. Të mërkurën e 10 dhjetorit ai ishte në zyrën e Vatrës dhe kishin biseduar gjatë.

          Po ç’kishte ndodhur mëngjesin e 11 dhjetorit? Vasil Pani si çdo mëngjes atë të enjte kishte shkuar dhe kishte hapur restorantin e tij. Shkoi, hapi derën dhe pa pritur ra dhe zemra i ndaloi. Natyrisht që kishte pësuar një sulm në zemër. Sulmi qe vdekjeprurës. Në faqen e parë të Diellit nr 5804, 17 dhjetor 1947, botohej lajmi i vdekjes, ndërsa përbri lajmit, në të majtë, një shkrim përkujtimor për 5 vjetorin e vdekjes së Faik Konicës, mikut më të ngushtë të Vasilit. Në shkrimin përkujtimor  hiqet një paralele mes Faik Konicës dhe mikut të tij, të cilët i kishte bashkuar lufta për Shqipëri.

Ah, ç’na le, o miku ynë, preve gojën mbylle synë!/Në Diellin e 17 dhjetorit 1947 botohej edhe editoriali ”Vajtojmë Vasil Panin”. Esseja elegjiake është një perlë e vërtetë që pikon dhimbje për njeriun e mirë, për vatranin besnik, që vuri gjithçka në shërbim të Atdheut. Panariti  na krijon një drithërimë në shtat tek shkruan: Ah, ç’na le, o miku ynë/ Preve gojën, mbylle synë! Këto radhë po shkruhen ditën që dha shpirt Vasil Pani, ditën e enjte, 11 dhjetor  1947. Duart s’na punojnë të shkruajmë, zemra jonë ndodhet në trupin e ftohtë të Vasilit. Trupi na dridhet dhe lotët s’na pushojnë, pasi Vasil Pani, shoku ynë besnik, patrioti, luftëtari heroik i Kombit shqiptar, vatrani ynë i paçmuar, s’është më me neve…”

Vatranët e kishin të pamundur që të besonin të vërtetën se nuk do ta shihnin më Vasilin të gjallë, nuk do të bisedonin më me të, të këshilloheshin për punët e Vatrës dhe për punët e Shqipërisë. Vasil  Pani ishte ndër vatranët e orës së parë, ndërkohë që në vitet 1912-14 ai, ende djalë i parritur mirë, 15-17 vjecar, u pagëzua si luftëtar i lirisë kundër grekëve që kishin mësy Korçën e tij të dashur. Ai ndjehej krenar që kishte qenë luftëtar i Themistokli Gërmenjit.

Në elegjinë që botonte Dielli, Vasili përshkruhet me fjalë të përzgjedhura si patriot, si njeri fisnik, si vatran besnik. Panariti e mbyll elegjinë me këto rreshta:” Me vdekjen e Vasil Panit, Shqipëria humbet një burrë besnik,Vatra humbet një figurë të shquar, shoqja e tij humbet një shok besnik, dhe të ndershëm, fëmijët humbasin një baba të dashur e të dhembshur”. Në kohën kur ndërroi jetë Vasil Pani ishte arkëtar i Vatrës, ndërkohë që për një 25 vjet ai i kishte kryer radhazi edhe detyrën e kryetarit të Vatrës, dhe të zyrtarit të qendrës, edhe disa herë të arkëtarit. Shkëpusim nga Dielli:” “Vasili për një çerek shekulli i ka shërbyer Vatrës si anëtar besnik, si kryetar dhe si arkëtar. Gjithnjë njeri besnik, gjithnjë njeri i ndershëm, gjithnjë njeri pa ambicje personale”.

Përcjellja/Në Diellin e së mërkurës, 24 dhjetor 1947, botohet e plotë kronika e përcjelljes së Vasil Panit nën titullin”Miqtë dhe shokët përcuallën Vasil Panin në jetën e përtejshme”, dhe me nëntitullin” Shërbimet funerale u bënë prej hirësisë së Tij, Imzot Nolit. Një shumicë e madhe mori pjesë në varrim”.

   Përcjellja u bë ditën e hënë me 15 dhjetor. Ceremonia u mbajt në Kryekishën e Shën Gjergjit, në adresën: 20 Emerald St…Boston, MA, në ora 2 pasdite. Kronika e përcjell plot dhimbje ceremoninë. Kisha ishte e mbushur plot. Njerëzit qanin mikun e tyre të mirë, që familjen e kishte lënë në Atdheun e largët. Ceremoninë fetare e udhëhoqi Imzot Noli i ndihmuar nga Arkimandriti At Thimi Theodhos dhe at Sokrat Sotir. Kurora të shumta lulesh mbulonin arkivolin ku prehej përjetësisht trupi i pajetë i Vasilit.Kishin ardhur vatranë nga qytete të largme për t’i dhënë lamtumirën mikut të tyre, vatranit besnik. Nga Nju Jorku qanin mbi arkivol Kemal Veisel,Shefqet Bença dhe Ahmet Kutchi; nga Waterbury Mehmet Tosun, Ramo Zvezda dhe Hysen Fazo; nga Worcesteri kryetari i Vatrës, Vangjel Sotir , dhe Ligor Stefi. Shumë të tjerë kishin udhëtuar nga kolonitë e tjera të New Englandit, të cilët ishin aq shumë, sa lista do të ishte e tepër e gjatë.Vasil Pani u varros në Mount Auburn Cemetery, Watertoën, Mass. Dreka e fundit u shtrua në restorantin e tij, aty ku kishte kaluar një pjesë të mirë të jetës dhe ku i pushoi së rrahuri zemra. “Court House Lunch”,  restoranti i Vasil Panit në East Cambridge, Massschusetts, nuk ishte thjeshtë një vend ngrënie, por aty mblidheshin shqiptarët dhe  qanin hallet e kombit. E kishin pagëzuar atë si Institut Kombëtar. Në këtë restorant Vasili kishte punuar për 25 vjet me radhë. Shumë rrallë, shkruante Dielli në pasvdekjen e tij, mbaronin Kuvendet e Vatrës pa ngrënë një drekë ose një darkë në Court House Lunch, restorantin e Vasil Panit. Faik Konica, miku më i ngushtë i Vasilit, e kishte si shtëpinë e tij këtë restorant. Court House Lunch ishte një udhëkryq ku piqeshin udhët e vatranëve, që vinin nga drejtime të ndryshme. Në atë restorant, kushedi se sa herë ishte biseduar fati i lëvizjes shqiptare dhe fati i Shqipërisë. Vetë Vasili, si shkruan në shkrimin përcjellës Dielli, ishte një thesar anekdotash, të mbledhura nga bisedimet që bëheshin në restorantin e tij. Dhe atë ditë, në drekën e fundit, ai u kujtua po aty, në restorantin e tij.

Vasil Pani në taborrin e parë të shqiptarizmës/Në fjalën që mbajti Hirësia e Tij  Imzot Noli, tha mes të tjerave se :Vasil Pani ksih qëndruar kurdoherë në krye të taborrit të shqiptarizmës-kurdoherë i pari në kishën Kombëtare që në organizimin e saj, i pari edhe në Vatër. Vasil Pani, nuk e fitoi shqiptarizmën si shumë nga ne, këtu në Amerikë-Vasili e trashëgoi shqiptarizmën nga babai, Josif Pani. Vasili, tah Imzot Noli, bashkë me dardharët e tjerë, mori pjesë në botimin e gazetës “KOMBI” prej Sotir Pecit. Që ahere e gjer sot, Vasili s’hoqi dorë nga shqiptarizma. Që kur u njoh me Faik Konicën, Vasili u bë mik i tij besnik dhe qëndroi besnik deri në fund të jetës së tij. Në përcjelljen që iu bë Vasil Pani foli edhe bashkëfshatari i  të ndjerit, dardhari; James Keko, kryetar i Shoqatës Dardhare. Fjala e tij qe prekse:” I dashur Vasil:Të gjithë dardharët jemi mbledhur rreth teje të pikëlluar dhe me lot në sy, që të japim përshëndetjet e fundit dhe të përcjellim në banesën e përjetshme. Dardha po vajton humbjen e birit të saj të shquar. Familja jote cfilit për humbjen e përkujdestarit të saj t’adhurueshëm…. Vasil Pani la pas gruan, djalin Sotir Pani(e pat parë vetëm kur ishte 2 vjeç,  tashti Sotiri jeton në Boston), la vajzën, që nuk e pa dot me sy, nënën, dhe tri motra.

Kush ishte Vasil Pani?/Shënimet biografike të Sotir Panit janë përcjellë në Diellin e 31 dhjetorit 1947. Kishte lindur në Dardhë të Korçës me 1895. Në Amerikë kishte emigruar në vitin 1907. Pra ishte vetëm 12 vjeç. Ishte me gjithë të Atin, Josifin, një patriot i orëve të para, kryetar i Shoqërisë “Besa-besë “ dhe botues i disa gazetave, që më 1913 u kthye në Dardhë. Vasili ishte rrëmbyer në vorbullën e Lëvizjes Kombëtare sapo shkeli në tokën amerikane. Merr pjesë në fushatën për  shkollën Normale të Elbasanit, ku dhuron kursimet e veta dhe Dielli e përhiron me një shkrim të veçantë sepse ai ishte më i vogli dhurues, 14 vjec. Në vitin 1912 kthehet në Shqipëri si luftëtar i Lirisë kundër bandave greke. Ishte luftëtar i çetës së  Themistokli Gërmenjit. Është kohë kaotike në Shqipërinë e paspavarësisë. Grekërit me një krah , turmat haxhiqamiliste e esadiste në anën tjetër, e kishin bërë të mjegulluar të nesërmen e Shqipërisë. U kthye në Amerikë më 1914. Aso kohe gazeta “Sazani” pat shkruar fjalë miradie për të birin e atdhetarit Josif Pani, Vasilin, që ishte pagëzuar në zjarrin e luftës për liri. Pas sigurimit të Pavarësisë së Shqipërisë, Vasil Pani bëri dhe dy udhëtime të tjera në Shqipëri. Udhëtimin e fundit e bëri më 1937, me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Për vite me radhë, 25 vjet, ka qenë i zgjedhur në Komisionin Drejtues të Vatrës,  si zyrtar, anëtar i Komisionit, Kryetar i Vatrës,arkëtar i saj etj. Dielli shkroi ato ditë se : Vatra, po të mos kishte qenë Vasil Pani, mund të kishte vdekur me kohë. Këtë e thonin miqt’ e Vasilit dhe e pranonin kundërshtarët e Vatrës.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›