Kronikë në gur, muzeu më i ri në Gjirokastër
Gjirokastrës i shtohet edhe një tjetër muze krahas dy të tjerëve që ka aktualisht. Prej disa javësh, kanë filluar punimet për ndërtimin e muzeut Kronikë në gur, duke marrë spunto nga titulli i romanit të famshëm të Ismail Kadaresë. Studiuesit, specialistët dhe historianët vendas, kanë nisur ndërkohë të japin opinionet e para në lidhje me relikat historike dhe materialet që do të ekspozohen në vitrinat e muzeut i cili mendohet të jetë unikal në llojin e vet në jug të vendit.
Sipas drejtoreshës së muzeumeve në Gjirokastër Teuta Kallajxhi njëkohësisht një prej specialisteve dhe studiuese e historisë, një vend të veçantë në muzeun që pritet të ngrihet, duhet ti kushtohet edhe traditës së hershme të zonës jugore dhe sidomos Gjirokastrës muzeale. Qyteti i gurtë sipas Kallajxhiut, ka mjaft për të ekspozuar dhe është pikërisht ndërtimi i këtij muzeu i cili do të përcjellë historinë e një qyteti të tërë duke marrë për bazë edhe objektet e hershme që janë pasuri të pazëvendësueshme. Sipas Kallajxhi, muzeu nuk duhet të përqendrohet vetëm në elementët e trashëgimisë kulturore, por duhet të përmbajë edhe materiale të hershme historike me interes për vizitorët vendas apo të huaj. Muzeu do të ndërtohet në mjediset e kështjellës së qytetit dhe eksponatet priten të kreatohen në bazë të sugjerimeve nga specialistët. Sot në Gjirokastër ekzistojnë dy muzeume ai i armëve në pjesën hyrëse të kalasë, si dhe muzeu etnografik i cili ndodhet në shtëpinë e lindjes së ish diktatorit komunist Enver Hoxha në lagjen Palorto. T. Hoxha