"Kronikë në gur", muzeu merr titullin e romanit
Titullin e romanit të famshëm të Kadaresë, do ta mbajë muzeu më i ri për historinë e gjithë Luginës së Drinos
Gjirokastër - Edhe kjo mund të ndodhë nga dashuria e madhe për veprën e një njeriu të lidhur me vendlindjen e tij. Ka ndodhur që, pikërisht dje, është vendosur që, "Kronikë në gur", titullin e romanit të famshëm të shkrimtarit Ismail Kadare, ta mbajë edhe muzeu më i ri që do të ngrihet në Gjirokastër, vendlindja e autorit.
Ndërsa vlerat etnografike dhe ato të luftërave janë shpalosur në dy muzeumet ekzistuese, një i tretë synon të sjellë për të gjithë vizitorët vendas dhe të huaj, historinë e gjithë Luginës së Drinos.
Projekti i fondacionit PACKARD ka gjetur mbështetjen e Ambasadës Amerikane, e cila do të japë një fond prej 48 mijë dollarë për ngritjen e tij. Fondi i ambasadorit amerikan për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Shqipëri, do të përdoret për restaurimin e një galerie në kalanë e qytetit të Gjirokastrës, në mënyrë që ta sjellë atë në formën bashkëkohore, që të mund përdoret edhe për organizime të tjera.
Projekti ka marrë ndërkaq edhe miratimin e Këshillit të Restaurimeve dhe puna pritet të nisë së shpejti.
Sipas projektuesve, "në këtë muzeum do të jetë e përshkruar gjithë historia, jo vetëm e qytetit të Gjirokastrës, por e gjithë luginës së Drinos, një histori tejet e pasur, që zë fill që nga prehistoria, për të vijuar më tej me gurin si një element bazë i ndërtimit, me fillesat e projektimit dhe ngritjes së kalasë, si objekti i parë i qytetit, e deri në ditët e sotme".
Përpara viteve 1990, qyteti i Gjirokastrës numëronte gjithsej 7 muzeume, ndërsa aktualisht funksionojnë vetëm dy: Muzeu Etnografik, që është i vendosur në shtëpinë e lindjes së Enver Hoxhës, si dhe Muzeu i Armëve, në kalanë e qytetit.