E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjiri i Lalëzit, mbytet xhaxhai e nipi

Fatkeqësia/ Bardhyl Zeqollari, 37 vjeç, ka ndërruar jetë teksa ka tentuar të shpëtojë nga mbytja dy nipërit e tij


Polumbarët e RENEA-s kanë kërkuar në thellësi për rreth dy orë trupin e 15-vjeçarit Alban Zeqollari


DURRËS - Xhaxha e nip kanë humbur jetën pasditen e djeshme teksa notonin në bregdetin e Gjirit të Lalëzit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:30, ndërsa pushuesit nga kryeqyteti kishin vendosur t'i kalonin ditët e nxehta në plazhin e kësaj zone.


Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se viktimat janë Bardhyl Zeqollari, 37 vjeç, dhe nipi i tij Albani, 15 vjeç. Ndërkohë, ka shpëtuar 10-vjeçari Armand Zeqollari, i cili ishte futur së bashku me të vëllanë për t'u larë në det. Për të nxjerrë trupat e të mbyturve në vendngjarje mbërritën forcat e RENEA-s, ndërsa nisën hetimet për të zbardhur ngjarjen.


Mbytja


Dy vëllezërit 15 dhe 10-vjeçar, Albani dhe Armandi, në orët e pasdites janë futur në det për t'u larë. Por, duke qenë se në këtë zonë, era ndryshon shpesh drejtim duke krijuar rryma deti të rrezikshme ka bërë që dy djemtë të kenë vështirësi në notim. Si rrjedhojë, në drejtim të tyre ka shkuar 37-vjeçari Bardhyl Zeqollari, xhaxha i fëmijëve.


Por duke mos qenë notar i mirë, ai nuk e ka përballuar dot thellësinë dhe dallgët të cilat në orët e pasdites kanë qenë duke u rritur. Kjo gjë e ka penguar xhaxhanë që të arrijë nipërit e tij, por gjithashtu ka pasur edhe vetë nevojë për ndihmë.


Fakti që familja ka qëndruar në një zonë jo shumë të populluar me pushues ka bërë që të jenë të paktë ata që mund t'i dëgjonin. I vetmi që ka arritur të dalë nga deti ka qenë 10-vjeçari Armand Zeqollari, ndërsa vëllai i tij 15-vjeçar dhe xhaxhai kanë mbetur në ujërat e detit.


Nxjerrja e trupave


Trupi i 37-vjeçarit Bardhyl Zeqollari është arritur të nxirret nga uji prej fshatarëve të zonës. Ndërsa trupi i 15-vjeçarit ka humbur të thellësi të ujërave. Për gjetjen e trupit të tij janë nisur polumbarë të RENEA-s, ndërsa kërkimet kanë vijuar për rreth dy orë, ndërsa është shtuar frika se rrymat e shumta që kryqëzohen në kohë me erëra mund ta kishin dërguar trupin në thellësi.


Gjetja e 15-vjeçarit është bërë kur kishte rënë muzgu, në orën 20:30, rreth 500 metra larg bregut. Xhaxhai dhe nipi kanë gjetur vdekjen njëri pas tjetrit, ndërsa për policinë, si dhe dëshmitarët në vendngjarje, ende mbetet e paqartë se sa ishte numri i personave të përfshirë në ngjarje. Kjo dhe për shkak se fëmija 10-vjeçar, duke qenë se ka qenë tepër i tronditur, nuk ka mundur që të tregojë versionin e vërtetë të tragjedisë për familjen e vet.


Ngjarja e rëndë me dy të vdekur u konfirmua se ka ndodhur në orët e para të pasdites së djeshme, ku 37-vjeçari me banim në lagjen "Misto Mame" Tiranë, kishte ardhur së bashku me pjesëtarë të tjerë të familjes për të kaluar pushimet në plazhet e rralla të Fushë-Draçit. Katër vite më parë, po në këtë vend, humbën jetën dy peshkatarë, babë e bir, të cilët u gjetëm vetëm pas disa ditë kërkimesh të polumbarëve, të shoqëruar me kërkimet me helikopter.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›