Kruja me sallë të re koncertesh, investimi pjesë e projektit të rindërtimit

Mbrëmja e së premtes në Krujë zbriti plot ngjyra, plot tinguj. Pas më shumë se 20 vjetësh këtij qyteti të lashtë i rikthehet një sallë koncertesh dinjitoze pagëzuar me emrin Ramiz Kovaçi, ish bariton kryesor i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit të Shqipërisë dhe themelues i Akademisë së Arteve të Shqipërisë.
Rikonstruksioni u bë domosdoshmëri edhe pas goditjes së tërmetit të 2019-ës, dhe gjeti mbështetjen financiare të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim si dhe Agjencisë austriake të Zhvillimit.
“Rajoni i Krujës u godit veçanërisht rëndë nga tërmeti i vitit 2019. Ne si partnerë ndërkombëtarë, Zvicra, ashtu edhe Austria qëndruam përkrah Shqipërisë në këtë sfidë dhe po vazhdojmë të mbështesim përpjekjet tuaja për rindërtim. Jam shumë i kënaqur që qytetarët e Krujës do të kenë një vend më shumë për përvojat muzikore e sigurisht është një lajm i mirë edhe për vizitorët, turistët”, -shprehet Adrian Maitre, ambasador i Zvicrës në Shqipëri.
Investimi për sallën e re të koncerteve “Ramiz Kovaçi” në pallatin e kulturës “Ibrahim Bërdaku”, në Krujë pati vlerën e afro 27 milionë lekëve. Salla ka 288 ulëse.
Në ceremoninë e përurimit u ngjitën në skenë jo vetëm artistët më të mirë të këtij qyteti, me simbolin e tyre, grupin “Pleqtë e Krujës”, por dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, tenori Kastriot Tusha, sopranoja Ramona Tullumani etj.
/rtsh/