E Enjte, 5 Nëntor 2026

Presidenti Meta: Detyra ime të mbroj Kushtetutën, pluralizmin politik!

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se detyra e tij është të mbrojë Kushtetutën, pluralizmin politik dhe rendin kushtetues në situatat më të vështira, ndërsa përjashtoi kategorikisht përgjegjësinë e tij në zhvillimet e fundit konfliktuale me maxhorancën.

Duke folur për situatën e fundit ku është përfshirë institucioni i Presidencës në Gjykatën Kushtetuese, gjatë një interviste televizive, Presidenti Meta theksoi se “është detyra kushtetuese e Presidentit që të mbrojë Kushtetutën në të gjitha situatat, në mënyrë të mbrojë pluralizmin politik, dhe rendin kushtetues në tërësi në situatat më të vështira”.

“Nuk është përgjegjësia e Presidentit për shkaktimin e këtyre situatave kaq të vështira, ekstreme, për sa i takon anormalitetit, të funksionimit të shtetit të së drejtës, të dëmtimit apo të minimit të pluralizmit politik, të dhunimit të të drejtave kushtetuese të qytetarëve shqiptarë” tha zoti Meta. 

“Natyrisht që Presidenti ka qenë i detyruar të qëndrojë në krye të detyrës së tij, pa kompromis me të gjithë cenuesit dhe dhunuesit e Kushtetutës dhe të rendit kushtetues. Ndërkohë nuk duhet të harrojmë se Presidenti ka ndërmarrë nisma të vazhdueshme përgjatë këtyre katër viteve e gjysmë për të parandaluar situata të tilla anormale, të cilat janë shkaktuar qëllimisht”, tha kreu i shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›