E Enjte, 5 Nëntor 2026

Buxheti 2021, qeveria mbledh më shumë të ardhura

Qeveria ka mbledhur më shumë para në buxhetin e shtetit gjatë vitit 2021. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se të ardhurat totale në arkën e shtetit ishin 510 miliardë lekë, me një rritje prej 20% krahasuar me vitin paraardhës. 
Konkretisht, krahasuar me vitin 2020 ku ekonomia u mbyll për shkak të pandemisë, të ardhurat janë rritur më 84.5 miliardë lekë. 

Referuar treguesve fiskal, rritjen më të madhe e kanë shënuar të ardhurat tatimore dhe ato doganore. Më konkretisht, arkëtimet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave u vlerësuan në masën 444.3 miliardë lekë,  6.2% më shumë se plani 12 mujor për vitin 2021. 

Ecurinë më pozitive e ka shënuar  tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH), që është zëri kryesor i të ardhurave në buxhet. Nga TVSH u mblodhën 131.3 miliardë lekë, me rritje 30.2% me 2020-n. Rritja e fortë e importeve e shoqëruar me faktin që shumë produkte janë blerë jashtë me çmime më të larta ka ndikuar në këtë ecuri.

Nga akciza u mblodhën 51.6  miliardë lekë, 7.1 miliardë lekë më shumë se në 2020-n. edhe ky zë është ndikuar pozitivisht nga importet e larta dhe çmimet e shtrenjtuara.
Ndërsa tatim fitimi, një tregues direkt i ecurisë së fitimeve të kompanive arriti në 35.6 miliardë lekë, duke u rritur me 25.5% në krahasim me 2020-n, kur pagesa e kësteve për shumë kompani u shty për shkak të situatës së krijuar nga kriza pandemike. 

Performancë pozitive shënuan dhe të ardhurat e pushtetit local, si nga taksa e pasurisë ashtu dhe ato lokale, këto të fundit të nxitura nga volumi i ndërtimeve, përmes së cilës bashkitë arkëtojnë taksën e ndikimit në infrastrukturës, që për disa bashki, si ajo e Tiranës sjell rreth 40% të totalit të të ardhurave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›