Krujë/ Zjarri del jashtë kontrollit në Krujë, arrestohet 67-vjeçari

Një 67-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Krujës, pasi dyshohet se ka shkaktuar një zjarr në fshatin Zallë.
Sipas Policisë, shtetasi me inicialet I. H.(K.) kishte ndezur zjarr në tokën në pronësi të tij, me qëllim djegien e mbeturinave bimore. Flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe janë përhapur në sipërfaqe të konsiderueshme toke dhe zona përreth.
Si pasojë e zjarrit janë shkaktuar dëme materiale dhe janë djegur pemë frutore në fshatin Zallë, ndërsa flakët kanë prekur edhe fshatin Halil, si dhe zonat e njohura si “Kodra e Stafukeve” dhe “Kodra e Babasve”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë kanë ndërhyrë menjëherë pas marrjes së njoftimit për zjarrin, duke bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve, fermerëve dhe pronarëve apo poseduesve të kullotave që të mos ndezin zjarre dhe të mos djegin mbeturina në toka bujqësore apo kullota, pasi flakët mund të përhapen në mënyrë të pakontrolluar dhe të shkaktojnë dëme të rënda në pasuri, shëndet dhe jetë.
Gjithashtu, qytetarët ftohen të denoncojnë menjëherë çdo rast të tentativës për ndezje zjarri, duke iu garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm nga Policia.