Krujë, probleme te shumta për shkak të shiut
KRUJE- Në orët e para të mëngjesit, në qytetin e Krujës, ka patur rrëshqitje të tokës në një gjatësi rruge prej 25 metrash. Shembja është shkaktuar nga shirat e dendur të rënë gjatë gjithë natës në këtë qytet.
Rrjedhojë e rrëshqitjes së tokës ka qenë dhe shembja e murit anësor mbajtës të rrugës, si dhe dëmtime në linjën 6000 volt të këtij qyteti, pas rënies së shtyllës së tensionit të lartë, duke shkaktuar dhe ndërprerje të energjisë elektrike në lagjen Gëzim Zeneli, me rreth 3 mijë banorë.
Si pasojë, dëmtime janë shkaktuar dhe në rrjetin ujësjellës duke lënë këtë lagje, edhe pa ujë të pijshëm.
Nga anomalia e shkaktuar, gjatë mëngjesit të sotëm ka pasur dhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve në aksin Krujë-Fushëkrujë.
Specialistë të elektrikut dhe të ujësjellësit, po punojnë për normalizimin e situatës. Ndërkohë që rikthimi i reshjeve të dëborës në komunën e Currilit në rrethin e Krujës ka shkaktuar probleme në blegtori.
(e.n/News24/Balkanweb)