Krujë, turistët tërhiqen nga tradita. Të rinjtë nuk preferojnë të trashëgojnë artizanatin

Pazari karakteristik në qytetin e Krujës vijon të tërheqë vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj. Në dy krahët ku shtrihen dyqanet e hershme gjen kostume të shumëllojshme kombëtare, sixhade dhe qilime karakteristike krutane që punohen nga artizanet, duke ruajtur elementë të traditës.
Në këtë pazar karakteristik gjenden tezgjahet, ku realizohen këto punime.
Ajo që bie në sy është se të rinjtë nuk e preferojnë këtë zanat.
Gazetarët e RTSH takuan 70-vjeçarin ,Sali Maja. Në njërën anë të dyqanit të tij ndodhet tezgjahu, ku në të punon bashkëshortja e tij Dëshire.
Ai na tregon se që në moshën 15-vjeçare, bashkëshortja ka punuar në tezgjah dhe ende vijon të punojë me këtë mekanizëm të njohur për krutanet.
Sali Maja thotë më tej se Dëshira, bashkëshortja kërkon t’ia kalojë stafetën të rinjve, madje është e gatshme t’i mësojë edhe falas, por nuk ka gjetur interes në krahun tjetër. Ai shprehet i keqardhur, që po humbet tradita e bukur krutane e artizaneve.
Kruja falë muzeut kombëtar, pazarit karakteristik dhe kalasë vizitohet nga shumë turistë që vinë nga vende të ndryshme të botës, ndërsa prodhimet e duarartëve krutane janë dëshmi e punës dhe përkushtimit në ruajtjen e kësaj tradite, që nga koha e Heroit Kombëtar Skëndërbeut.
Gazetare: Albana Agolli
/RTSH/