Kryebashkiaku Berisha prezanton projektet e Bashkisë
Po bëhet thuajse një muaj që kur Lulzim Basha mori detyrën në krye të Bashkisë. Duhej të ishte një muaj shumë i rëndësishëm, i ngarkuar me punë, siç pati premtuar vetë ai. Në fakt atë e kemi parë disa herë në disa takime-show me qytetarë të Tiranës dhe me nja dy artiste shqiptare. Më pas gjithçka kemi marrë vesh nga bashkia janë disa njoftime për prishje ndërtimesh nga policia bashkiake. Por nuk është çudi. Të gjithë e dinin që Basha nuk do ishte kryebashkiaku i ri. Ai është dhe do jetë Sali Berisha.
Kështu, në mbledhjen e sotme të qeverisë, Berisha shpalli nismën e re të Bashkisë, atë për marrjen e lejeve të ndërtimit në një sportel.
Jam shumë i inkurajuar nga fakti që bashkia e Tiranës po shqyrton mundësinë e One stop shop për lejet e ndërtimit, që ishin shndërruar në një mjet të tmerrshëm në këtë bashki dhe e kishin renditur atë në vendin e 173-të në botë, por që rrezatonte ndjeshëm në të gjithë vendin, tha Berisha.
Në një mbledhje qeverie të disa ditëve më përpara, Berisha sërish foli si kryebashkiak për investimet e huaja në Tiranë.
Jam shumë optimist që me riorientimin e bashkisë së Tiranës, e cila është lokomotiva e zhvillimit të vendit, në një bashki të bazuar mbi tregun e vlerat e tij. Në rast se 11 vite, qytetarët e Tiranës nuk kanë dëgjuar as edhe një herë të vetme fjalën investimet e huaja direkte në kryeqytet, për arsye tashmë të njohura të një klientele të ngushtë që kërkonte që çdo hapësirë e çdo gjë ta dispononte për vete dhe shpallte antikombëtare çdo përpjekje, kjo situatë merr fund. Kryetari i ri i bashkisë dhe ekipi i tij ka të gjithë vullnetin dhe potencialet për ta shndërruar bashkinë e Tiranës në një lokomotivë të shpejtë të thithjes së investimeve të huaja në Tiranë dhe në Shqipëri, tha Berisha.
Po ashtu ishte ky kryeministër, që shpalli se Basha po punon aq shumë sa edhe drekën e ha në bashki. Cinizmi ka arritur kulmin, kur Basha, i njohur për neglizhencën ndaj punës, edhe ditën e parë mbërriti me vonesë e qëndroi pak orë. Ditët e tjera u zhduk fare. Por nuk duhet gjë. Dihet se kush është kryebashkiak. Ai është kukulla për të buzëqeshur fallco.
