E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorja gjermane në Tiranë: Zgjedhjet me hije gri dramatike

Nga Muhamed Veliu, TCH

Kryediplomatja gjermane në Tiranë Carole Muller-Holtkemper ka komentuar raportin e OSBE-ODIHR-it, duke theksuar se palët duhet ta lexojnë me vëmendje pasi nuk është dyngjyrësh bardhezi.

Shkëlqesi ambasadore, gjatë  vizitës tuaj në  Korçë  deklaruat se do të  flisnit për zgjedhjet e 8 majit, atëherë  kur të  dilte raporti ODIHR-it. Tani që  raporti është publikuar, cili është vlerësimi juaj për këto zgjedhje?

Raporti i ODHIR na sjell një panoramë realiste të  ngjarjeve përpara, gjatë dhe në fund të  procesit zgjedhor. Dua të  theksoj se është shumë i detajuar dhe do të  rekamondoja që gjithësecili ta lexojë me vëmendje, nga fillimi deri në, fund veçanërisht rekomandimet.

Le të ndalemi në pikën më të fortë. Ditën e votimit patëm një  ditë të qetë, më parë mbulimi mediatik ishte pozitiv. Në të gjithë  Shqipërinë kishte më pak parregullsi, krahasuar me të shkuarën. Por, në Tiranë kishte probleme me procesin e numërimit. Gjithashtu, edhe me procesin e drejtësisë,  ku këtu kam parasysh Kolegjin Zgjedhor dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Cilat probleme ju kanë  shqetësuar?

Është thënë qartë në raport, se KQZ dhe Kolegji Zgjedhor nuk punojnë në një klimë bazuar në marrëdhënie si kolegë. Sipas kompozimit të  tyre, ata janë të njëanshëm duke ndjekur linja  partiake. Ky është një prej rekomandimeve në  fund të raportit, që duhet adresuar për të pasur një  përbërje që duhet ti kthejë këto institucione në më profesionale dhe më pak politike.

Nga ajo që sapo thatë, mos doni të thoni se këto dy institucione nuk janë të pavarura?

Sipas raportit, anëtarët e tyre janë nominuar nga partitë  dhe duket se vendimet që japin janë të një linje partiake. Siç edhe jam shprehur disa herë, qëllimi duhet të jetë në  atë  mënyrë për të gjetur atë që duan votuesit. Vërejmë  mungesë koherence në realizimin e këtij qëllimi.

Nga Korça deklaruat se nuk e dinit se ku ka shkuar gjysma e vullnetit të votuesve në Tiranë. Tani që kemi edhe raportin, a mund ti jepni përgjigje kësaj pyetje, se ku shkoi vullneti i qytetarëve të Tiranës?

Raporti na jep një tablo të mirë të asaj që ndodhi dhe performancës të zgjedhjeve. Nuk është e zezë apo e bardhë  siç mund të pritet nga shumë njerëz. Nuk është as blu apo e kuqe, siç janë ngjyrat e dy partive më të mëdha politike. Unë do të doja të thosha se ka hije gri, pak a shumë si Guernika e Pikasos dramatike.

Meqë jemi tek partitë politike, PD dhe PS e kanë lexuar ndryshe nga njëra-tjetra raportin. Sipas jush, si duhet të  lexohet ky raport?

Duhet të lexohet me vëmendje, por do tu rekomandoja lexuesve me pak kohë, të shkojnë në fund të raportit, veçanërisht në faqet 29-30 dhe tek rekomandimet. Janë këshilla me tepër vlerë.

Në 36 faqet e raportit fjala standard nuk përmendet asgjëkundi. Sipas jush, u përmbushën apo jo standardet në  zgjedhjet e 8 majit?

Këto zgjedhje lokale ishin më të mira se ato të shkuarat, por akoma nuk përmbushin të gjitha kërkesat e vendosura në  benchmark-un që kemi në OSBE, gjithashtu Këshillin e Europës dhe çfarë ne prisnim për integrimin europian. Por, mendoj se shqiptarët janë në rrugë të mbarë dhe e kanë shansin që  të ndjekin rekomandimet për të arritur standarde të larta.

Në raport janë shkruar një katalog me probleme, veçanërisht në ato faqe që përmendët, veçanërisht si vepruan KQZ dhe Kolegji Zgjedhor. Si e shikoni rolin e tyre tani që  raporti në një  prej rekomandimeve thotë se duhet një  rikompozim i KQZ-së?

Reforma e fundit e kodit zgjedhor çoi në një polarizim të përbërjes, duke ndjekur një vijë politike. E mira do të  ishte që këto dy institucione të jenë më shumë  profesionale, më shumë të balancuara, për të realizuar një  detyrë madhore, se ku ka vajtuar vullneti i lirë i votuesve shqiptarë.

Zonja ambasadore, një prej 12 prioriteteve të vëna nga BE për Shqipërinë ishte realizimi i zgjedhjeve me standarde. Tani që raporti identifikon disa probleme të  cilat duhen rregulluar, si do të vlerësohen zgjedhjet nga BE-ja?

Tani që zgjedhjet kanë përfunduar, paçka se kemi edhe rivotim në komunën Shalë, ku ende nuk ka një kryetar komune, tani jemi në fazën kur duhet të shikohet përpara dhe në  bazë të rekomandimeve duhet të nisin bisedimet mes partive politike, natyrisht duke mos harruar partitë e vogla që kanë  një rol për të luajtur në arenën politike. Duhet reformimi i kodit zgjedhor në bazë të rekomandimeve për zgjedhjet e ardhshme, për ti pasur ato më të mira në  2013.

A besoni se dialogu do të nisë, kur në një krah kemi PS që  akuzon kryeministrin Berisha si vjedhës të mandatit të  Tiranës dhe vetë kryeministrin që ka dhënë vlerësimin e tij për këto zgjedhje?

Dialogu duhet të ndodhë, pasi dialogu është e vetmja rrugë  që do të udhëheqë Shqipërinë drejt integrimit Europian. Unë  vetëm mund tu apeloj partive kryesore për ta bërë këtë në  interes të gjithë shqiptarëve për ta nisur dialogun duke negociuar dhe përfitimi të jetë për të gjithë shqiptarëet?

Kemi parë kohët e fundit disa vizita të politikanëve të lartë gjermanë në rajon, por jo në Tiranë, të  cilat janë  komentuar për mosardhjen në Shqipëri si pasojë e klimës politike të këtushme. A është e vërtetë kjo?

Duhet të kuptoni se ne nuk mund të sjellim të gjithë  kabinetin gjerman në  Shqipëri. Është e vërtetë që  kancelarja Merkel viziton Kroacinë dhe Serbinë për të  folur për çështje me rëndësi, për Kosovën. Ministri i Jashtëm, Vestervele ishte në Kosovë ku foli për integritetin territorial të Kosovës. Ne patëm vizitën e ministrit Nibel për kooperimin ekonomik, i cili qëndroi për tre ditë në Shqipëri dhe kjo nuk ndodh shpesh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›