E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryebashkiaku i Vorës, Gërdecin e kërkuam për kompleks lojërash

Fiqiri Ismaili tha se një vit para shpërthimit kishin kërkuar nga Ministria e Mbrojtjes kalimin e repartit në administrim


Dëmi i shkaktuar nga shpërthimi sipas vlerësimeve arrinte në 24 milionë euro


TIRANË- "Ministria e Mbrojtjes një vit para tragjedisë së shpërthimit në Gërdec nuk pranoi të na i jepte në administrim ambientet e repartit ushtarak për të ndërtuar një kompleks sportiv për banorët e zonës".

Kështu u shpreh kryebashkiaku i Vorës, Fiqiri Ismaili, para gjykatës së kryeqytetit në procesin gjyqësor ndaj 28 të pandehurve të akuzuar për tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec. "Në administrimin territorial të Bashkisë së Vorës janë edhe 2- 3 reparte ushtarake, mes tyre edhe ai i Gërdecit.


Për këtë repart, një vit para ngjarjes, i kërkuam Ministrisë së Mbrojtjes, me një shkresë zyrtare që ambientet e këtij reparti t'i kalojnë me Vendim të Këshillit të Ministrave, Bashkisë së Vorës për të ndërtuar një kompleks sportiv për komunitetin e zonës. Në përgjigjen e Ministrisë, refuzohej një gjë e tillë, duke u shprehur se për momentin nuk mund të kalonte në administrim të Bashkisë, por do të shqyrtohej më tej"-tha Ismaili.


Në vazhdim të përgjigjeve të pyetjeve të prokurorit, Ismaili mohoi të kishte pasur dijeni se kush e kishte marrë nën administrim Gërdecin dhe çfarë po bëhej brenda rrethimit.


"Si kryetar i Bashkisë së Vorës, nuk kam pasur dijeni se çfarë bëhej në Gërdec. Kam parë dhe më kanë njoftuar se aty shkonin shumë mjete të Ushtrisë. Ditën e ngjarjes, kam qenë në fshatin Papër duke shkuar për në Elbasan kur më njoftuan me telefon se "Shpërtheu Gërdeci". Menjëherë u ktheva në zyrë,- tha Ismaili.


Sipas tij, asnjë subjekt privat apo ushtarak nuk kishte kërkuar leje ndërtimi për punën që është kryer në atë repart. "Neve si Bashki nuk na është drejtuar ndonjë subjekt privat apo zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes për dhënie të lejes së ndërtimit meqë aty po punohej.


Gjithashtu, neve nuk na është kërkuar që të furnizojmë me ujë apo energji, pasi asnjë nga këto ndërmarrje nuk janë në varësi të Bashkisë që unë drejtoj"- sqaroi Ismaili para trupit gjykues.


Në lidhje me masat e marra pas shpërthimit, kryetari i Bashkisë Vorë, konfirmoi se ishte ngritur një grup pune nën drejtimin e ish-zv/kryeministrit të asaj kohe dhe më pas janë dëmshpërblyer banorët. "Janë dëmshpërblyer të gjithë banorët e dëmtuar sipas vlerësimeve të bëra nga Komisioni i Vlerësimeve të Dëmeve në terren.

Vlera e dëmshpërblimit kap shifrën e 25 milionë eurove në 4 mijë familje dhe bizneset e tyre. Të gjitha këto veprime janë kryer mbi bazën e vendimit të Këshillit të Ministrave"-tha Ismaili.


Miku i Shkëlzen Berishës
Selmanllari nuk paraqitet në gjyq


Në seancën e djeshme gjyqësore ndaj të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit, e 68-ta për nga numri nuk u paraqitën 11 dëshmitarët e kërkuar nga organi i akuzës. Mes tyre edhe miku i djalit të kryeministrit Sali Berisha, dëshmitari Rrahman Selmanllari. Ky i fundit, sipas gjykatës, nuk është paraqitur edhe pse ka marrë dijeni për orën dhe ditën e zhvillimit të procesit gjyqësor. Por, gjykata vendosi që me kërkesë të prokurorisë të përsërisë fletë-thirrjen drejtuar Selmanllarit që të paraqitet të hënën e ardhshme pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet.


Gjithashtu, përveç këtij dëshmitari, gjykata urdhëroi oficerët e policisë gjyqësore të njoftojë edhe dëshmitarët: Plarent Ruka, Petrit Llapi, Shaqir Koliqi, Kol Dedgjoni, Flamur Hadushi, Ilir Kodra, Ergys Qirici, Pranvera Kastrati, Alban Dokushi, Durim Lila dhe Andi Belliu.


Kapet në kryeqytet 9 kg kanabis


TIRANE- Sekuetrohet në fshatin Qesarak të kryeqytetit 9 kg, drogë kanabis. Pronarët e drogës arrijnë t'ia mbathin përpara ndërhyrjes së forcave të policisë, të cilët u shpallën në kërkim nga kjo e fundit. Sipas burimeve dje në mesditë specialistët e zyrës së hetimit të antidrogës bllokuan dhe sekuestruan në një sasi prej 9 kg lëndë e dyshuar si kanabis sativa. Lënda narkotike sipas burimeve zyrtare u bllokua dje në mëngjesn në afërsi të fshatit Qesarak, në një automjet të markës "Mercedez- Benz", me targa LU 9473 B.


Për këtë sasi droge, policia ka shpallur në kërkim, Lulëzim Tabaku, 26 vjeç nga Lushnja u shpall në kërkim nga policia për këtë sasi droge të bllokuar në mjetin që dyshohet se është i tij. Veç tij, mësohet se policia ka ngritur dyshime edhe për një person i dyshuar si bashkëpunëtor i të shpallurit në kërkim. Në cilësinë e provës materiale, policia ka bllokuar sasinë e mallit prej 9 kg kanabis si dhe automjetin e markës "Mercedez- Benz", me targa të Lushnjes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›